Çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe procesin e integrimit evropian ishin në qendër të takimit mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe Bruno Cekës, përfaqësues i Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut. Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit, ndërsa u diskutuan disa prej temave që vazhdojnë të jenë pjesë e debatit politik në vend.
Sipas Ahmetit, në bisedë u theksua stagnimi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, sfidat që lidhen me Ligjin për Përdorimin e Gjuhës Shqipe dhe nevoja për garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore. Ai vlerësoi se "integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet orientimi ynë i vetëm strategjik", ndërsa nënvizoi edhe rëndësinë e forcimit të partneritetit të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit u diskutua edhe për nevojën e zgjidhjes sa më të shpejtë të ngërçit që lidhet me provimin e jurisprudencës. Sipas Ahmetit, kjo është një çështje që prek drejtpërdrejt shumë të rinj profesionistë dhe kërkon zbatimin e kuadrit ligjor ekzistues nga institucionet përgjegjëse.
Në përfundim, Ahmeti e cilësoi takimin si të dobishëm, duke theksuar se ai u zhvillua me angazhimin e përbashkët për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.