Punimet për rikonstruksionin e rrugës “Faik Konica” në lagjen Dizhon të Komunës së Çairit kanë hyrë në fazën përfundimtare, duke sjellë përmirësime të rëndësishme në infrastrukturën e kësaj zone. Projekti synon krijimin e kushteve më të mira për banorët dhe një qarkullim më të sigurt në këtë pjesë të qytetit. Ecurinë e punimeve e kanë parë nga afër kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, të cilët u njohën me fazën e fundit të realizimit të projektit. Në kuadër të investimit është realizuar ndërtimi i rrjetit të kanalizimit fekal, ndërsa është rindërtuar edhe rrjeti i ujësjellësit për të gjitha shtëpitë përgjatë rrugës. Aktualisht po zhvillohen punimet për asfaltimin e rrugës dhe ndërtimin e trotuareve. Me përfundimin e projektit, banorët e lagjes Dizhon pritet të kenë një rrugë tërësisht të rikonstruktuar, me kushte më të mira infrastrukturore dhe hapësira më të sigurta për lëvizje.