Nga Vendi
2 August 2026
Ahmeti: Fryma e Krushevës po zbehet, shqiptarët po margjinalizohen

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në mesazhin e tij për 2 Gushtin, ka rikthyer në vëmendje idealin e barazisë dhe bashkëjetesës, duke kritikuar zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, Fryma e Krushevës përfaqësonte një vizion të përbashkët për një shtet ku shqiptarët, maqedonasit dhe komunitetet e tjera do të ndanin përgjegjësinë dhe fatin e përbashkët. Ahmeti shprehet se, më shumë se një shekull më vonë, vendi po largohet nga ky ideal. Ai pretendon se, në vend të partneritetit dhe përfshirjes, po rikthehet, siç e cilëson ai, logjika e dominimit dhe përjashtimit, ndërsa shqiptarët, sipas tij, po margjinalizohen në disa institucione dhe fusha të rëndësishme të shtetit. Në deklaratën e tij, kreu i BDI-së e lidh këtë situatë edhe me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën thotë se po përballet me përpjekje për t’u zbehur. Ai përmend përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, mekanizmat mbrojtës nga majorizimi dhe përfaqësimin institucional si çështje që, sipas tij, kërkojnë vëmendje. Kritika ka adresuar edhe ndaj përfaqësuesve shqiptarë në pushtet, për të cilët Ahmeti thotë se po mbështesin politika që, sipas tij, nuk përputhen me interesat e qytetarëve që përfaqësojnë. “Pa legjitimitetin e popullit dhe pa guximin për të mbrojtur interesin kombëtar, ata nuk mund të jenë zëri i barazisë”, është shprehur ai. Megjithatë, Ahmeti thekson se orientimi politik i shqiptarëve, sipas tij, mbetet drejt një Maqedonie të Veriut të përbashkët, demokratike dhe evropiane. “Ne kemi zgjedhur një Maqedoni të Veriut të përbashkët, unitare, demokratike dhe evropiane”, ka deklaruar ai, duke e cilësuar barazinë, respektin reciprok dhe partneritetin si bazën për një shtet të fortë dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë.



Të ndryshme
Më shumë
Ja sa qytetarë janë regjistruar deri më tani, tregojnë nga ESHS15 September 2021
Kreditorët e bankës Eurostandard kërkojnë dëmshpërblim nga shteti i Maqedonisë10 September 2020
Presidentja Vjosa Osmani takon Kryeministrin e Eswatinit në Samitin Botëror të Qeverisjes 5 February 2026