Nga Vendi
4 August 2026
Bekir Halimi reagon pas shpalljes “non grata”: Nuk kam marrë njoftim zyrtar, po pres konfirmim nga Ambasada

Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka shpallur “non grata” dy shtetas nga Maqedonia e Veriut, Valon Belën dhe Bekir Halimin, duke i ndaluar hyrjen në territorin shqiptar. Pas këtij vendimi, Bekir Halimi ka reaguar për Top Channel, duke deklaruar se ende nuk ka marrë një njoftim zyrtar për masën e ndërmarrë ndaj tij. Në përgjigjen e dhënë për gazetaren Anila Hoxha, Halimi tha se informacionin do ta verifikojë fillimisht përmes Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë. “Këtë informacion nuk e kam të verifikuar zyrtarisht dhe do ta konfirmoj përmes Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë”, u shpreh ai. Halimi theksoi se aktiviteti i tij i fundit në Shqipëri lidhej me një bashkëpunim me Qarkun e Shkodrës për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, për shkak të kontributit në atë projekt, është në pritje të marrjes së shtetësisë shqiptare. “Deri atëherë, unë jam subjekt vetëm i ligjeve të shtetit tim”, deklaroi ai. Në reagimin e tij, Halimi mohoi të ketë qenë ndonjëherë pjesë e organizatave apo grupimeve të ndryshme, duke theksuar se angazhimi i vetëm i tij ka qenë pjesëmarrja në luftërat e UÇK-së në Kosovë dhe në Maqedoni gjatë viteve 1998–2001. Ai shtoi se ka qenë dhe mbetet pjesë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, ndërsa theksoi se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij si hoxhë. “Do të vazhdoj ta kryej detyrën time si hoxhë, duke i thirrur njerëzit në teuhid dhe duke kundërshtuar dukuritë negative që dëmtojnë individin dhe shoqërinë”, u shpreh Halimi. Burimi: Top Channel



Të ndryshme
Më shumë
Tetovë: Për gjashtë muaj 801 gjoba për drejtim të automjeteve pa leje për vozitje 8 July 2021
Trump: SHBA nuk ka nevojë për aleatë në Ngushticën e Hormuzit17 March 2026
“Më e mirë nëna se e bija”, Erion Veliaj e komplimenton nënën e Dua Lipës23 July 2021