Nga Vendi
6 August 2026
Viti i ri shkollor nis me mijëra nxënës më pak, Janevska: Trendi demografik është shqetësues

 

Viti i ri shkollor 2026/2027 pritet të nisë me një numër dukshëm më të ulët nxënësish në arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës e lidh këtë situatë me trendin demografik në vend. Sipas ministres Vesna Janevska, deri tani janë regjistruar rreth 4.900 nxënës të klasës së parë më pak krahasuar me një vit më parë, ndërsa edhe pas përfundimit të regjistrimeve pritet që numri të mbetet të paktën 3.000 më i ulët se vitin e kaluar.

Janevska theksoi se regjistrimet ende nuk kanë përfunduar, por pranoi se rënia e numrit të nxënësve është shqetësuese. “Edhe nëse deri në fund regjistrohen fëmijë të tjerë, do të kemi të paktën 3.000 nxënës të klasës së parë më pak. Këtë trend e presim edhe vitin e ardhshëm, gjë që është dëshpëruese për këtë vend”, u shpreh ajo, duke shtuar se Qeveria dhe Ministria e Arsimit po punojnë për përmirësimin e kushteve me synim që qytetarët të qëndrojnë në vend.

Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të rezultateve përfundimtare të Maturës Shtetërore për afatin e qershorit. Ministrja vlerësoi se rezultatet e maturantëve janë të kënaqshme, ndërsa nota mesatare e përgjithshme arriti në 3.66, krahasuar me 3.69 vitin e kaluar dhe 3.26 në vitin 2024. Matura profesionale regjistroi notën mesatare më të lartë me 3.91, ndërsa matura shtetërore e përgjithshme 3.62 dhe ajo artistike 3.59.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Jovçevska Mihajllovska, bëri të ditur se këtë vit nuk janë evidentuar kopjime masive gjatë provimeve. Ajo tha se 226 nxënësve u janë anuluar testet për shkak të kopjimit dhe do t'i nënshtrohen sërish provimeve në afatin e gushtit. Sipas saj, janë paraqitur 805 ankesa, ndërsa vetëm 0,95 për qind e tyre janë pranuar. Provimi zgjedhor i afatit të gushtit do të mbahet më 12 gusht, ndërsa ai i gjuhës amtare më 14 gusht./Burimi: Alsat.mk

 



Të ndryshme
Më shumë
Derkoski: Rreth 1.8 milionë votues janë në Listë Zgjedhore29 June 2020
Zëvendësministri Sulejmani me një takim ndryshon tabelën e muzeut në Tetovë 1 July 2021
Gjendja me COVID-19 në Maqedoni është e qëndrueshme, vazhdon imunizimi në 58 vendbanime22 July 2021