Nga Rajoni
7 August 2026
Fitorja në zgjedhje nuk mjafton, demokracia provohet me institucione funksionale

Profesori universitar, diplomati dhe analisti politik nga Kosova, Blerim Canaj, ka reaguar përmes një reflektimi të publikuar në Facebook, duke vënë theksin te përgjegjësia institucionale dhe respektimi i rendit kushtetues në një demokraci parlamentare. “Sa për kujtesë, në një demokraci parlamentare legjitimiteti nuk buron vetëm nga fitorja në zgjedhje, por edhe nga aftësia për të ndërtuar dhe funksionalizuar institucionet”, shkruan Canaj. Sipas tij, përdorimi i bllokimit institucional si mjet politik e zhvendos demokracinë nga logjika e kompromisit drejt një situate të vazhdueshme krize. Ai thekson se demokracia nuk duhet të matet vetëm me numrin e votave të marra, por edhe me respektimin e Kushtetutës, ndarjen e pushteteve dhe funksionimin normal të institucioneve. “Fitorja e zgjedhjeve është vetëm burimi i legjitimitetit, por prova kryesore e tij është funksionalizimi i institucioneve”, shprehet ai, duke shtuar se “shteti nuk mbahet gjallë vetëm nga vota, por nga institucionet funksionale”. Në reflektimin e tij, Canaj argumenton se fituesi i zgjedhjeve fiton të drejtën për të qeverisur, ndërsa respektimi i Kushtetutës është ajo që, sipas tij, përcakton përgjegjësinë demokratike të një lideri. “Kush fiton zgjedhjet merr të drejtën për të qeverisur, por kush respekton Kushtetutën fiton të drejtën për të hyrë në histori si demokrat”, shkruan Canaj. Duke iu referuar mësimeve të historisë politike, ai paralajmëron se demokracitë nuk dobësohen domosdoshmërisht nga përmbysje të menjëhershme, por edhe nga normalizimi i krizave dhe relativizimi i rendit kushtetues. “Demokracitë rrallë rrënohen nga një grushtshteti, por shumë më shpesh ato dobësohen nga normalizimi i krizës, nga relativizimi i Kushtetutës dhe nga bindja se vullneti i shumicës mund të zëvendësojë rendin kushtetues”, përfundon ai.



Të ndryshme
Më shumë
Chelsea merr gjobën më të madhe nga UEFA-s, 31 milionë euro për shkelje financiare 4 July 2025
Më shumë se 2000 viktima në Francë nga temperaturat ekstreme, vala e nxehtësisë përfshin Evropën dhe rrit alarmin shëndetësor 3 July 2026
Vëllezërit Mziu: Kosova, vendi më i mirë në botë për të jetuar, nuk e ndërrojmë as me Zvicrën 3 August 2021