Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar qasjen e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në përpjekjet për arritjen e marrëveshjeve politike për konstituimin e institucioneve të Kosovës, duke paralajmëruar pasoja juridike nëse nuk respektohen afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Në një deklaratë për KosovaPress, Kadrijaj tha se nëse seanca konstituive nuk mbahet brenda afatit, situata mund të rëndohet edhe më tej. “Ka pasoja juridike sepse vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i qartë, i shkruar e i dokumentuar dhe ka përcaktuar afatet kohore pas certifikimit të zgjedhjeve”, deklaroi ajo. Sipas saj, partitë politike kanë pasur kohë të mjaftueshme për të diskutuar për formimin e institucioneve, ndërsa takimet janë intensifikuar vetëm në ditët e fundit. Kadrijaj pretendon se Kurti po përpiqet të përcaktojë kushtet e marrëveshjes. “Po e imponon agjendën e vet dhe kushtet e veta”, tha ajo, duke shtuar se nëse synohen zgjedhje të reja, “duhet të lëshosh pe, jo t’i kesh të gjitha”. Deputetja e AAK-së paralajmëroi gjithashtu se vazhdimi i ngërçit politik mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Ajo tha se LDK-ja është e vetmja parti që, sipas saj, ka vazhduar të tregojë gatishmëri për bashkëpunim dhe negociata. Kadrijaj foli edhe për çështjen e presidentit, duke vlerësuar se një kandidaturë e Ramush Haradinajt do t’i bënte nder Kosovës. “Një figurë si e Haradinajt i bën nder shtetit dhe vendit. E ka një të kaluar historike që nuk e ka asnjë nga personazhet në Kosovë”, u shpreh ajo. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse seanca konstituive do të vazhdojë gjatë ditës së sotme, në një kohë kur afati i përcaktuar për përfundimin e procesit është në përfundim. Ngërçi institucional lidhet edhe me përpjekjet e partive për të gjetur një marrëveshje politike për çështjen e presidentit dhe formimin e institucioneve të reja. Burimi: KosovaPress