ShowBiz
8 August 2026
Lëndë eksplozive e pashpërthyer pranë biznesit të Noizyt në Durrës

Banorët e lagjes nr. 13 në zonën e Plazhit, në Durrës, u zgjuan të shtunën në orët e para të mëngjesit me një lajm alarmues, pranë derës hyrëse të një dyqani në pronësi të këngëtarit Rigels Rajku, i njohur në skenën muzikore si Noizy, u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar eksplozive.

Sipas të dhënave paraprake, lënda plasëse nuk kishte shpërthyer, duke shmangur kështu një pasojë më të rëndë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët nisën veprimet e para procedurale për të dokumentuar situatën.

Nga Policia e Durrësit ka dalë edhe një njoftim zyrtar për ngjarjen, ku thuhet, "në orët e para të mëngjesit, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në derën e një dyqani në pronësi të shtetasit R. R., është gjetur një sasi e vogël e dyshuar lëndë eksplozive e pashpërthyer".

Po në të njëjtin njoftim, policia bën me dije se hetimet janë ende në zhvillim e sipër, "në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, i cili vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve".

Aktualisht, hetuesit po shqyrtojnë me kujdes pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura në zonën përreth, në përpjekje për të identifikuar personin apo personat që kanë lënë lëndën plasëse pranë hyrjes së biznesit. Paralelisht, po mblidhen edhe provat e tjera materiale, me qëllim që të zbardhen plotësisht rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar mbi motivin e mundshëm që qëndron pas këtij akti, ndërsa procesi hetimor vijon intensivisht për të hedhur dritë mbi identitetin e autorëve dhe rrethanat e plota të rastit.



Të ndryshme
Më shumë
Për herë të parë në Maqedoni konfirmohen dy raste të lisë së majmunëve23 May 2025
Zaev ka ftuar Mickovskin të bëhen bashkë kundër Ali Ahmetit dhe kryeministrit shqiptar27 June 2020
Padi penale kundër ish-funksionarëve dhe punonjësve në Komunën e Sarajit dhe Qytetin e Shkupit13 November 2025