Nga Rajoni
10 August 2026
Haxhiu: Kosova duhet të jetë partnere, jo vetëm kërkuese e mbështetjes ndërkombëtare

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vënë theksin te nevoja për një diplomaci më aktive dhe strategjike të Kosovës, në një kohë kur rendi ndërkombëtar po pëson ndryshime të rëndësishme. Duke folur në Konferencën e Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, Haxhiu tha se diplomacia kosovare duhet të kalojë përtej kërkesës për mbështetje dhe të ndërtojë marrëdhënie afatgjata mbi interesa të përbashkëta. “Kosova duhet të jetë jo vetëm kërkuese e mbështetjes, por edhe partnere që ka çfarë të ofrojë”, theksoi ajo. Në fjalën e saj, Haxhiu u ndal te prioritetet e politikës së jashtme, përfshirë angazhimin për njohje të reja, avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe ruajtjen e orientimit të qartë euroatlantik. Një pjesë të veçantë të diskutimit ia kushtoi marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve me brezat e rinj që po ndikojnë në politikën amerikane dhe të shfrytëzimit më të madh të potencialit të diasporës kosovare. Haxhiu foli gjithashtu për marrëdhëniet me Serbinë, duke kërkuar përgjegjësi për krimet e luftës, zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përgjegjësinë për sulmin në Banjskë dhe hapjen e arkivave nga Serbia. Në fokus ishte edhe çështja e lumit Ibër. Haxhiu shprehu shqetësim për deklaratat e fundit lidhur me ndryshimin e rrjedhës së tij dhe kërkoi nga partnerët ndërkombëtarë të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për përdorimin e burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës. Në përmbyllje, ajo i cilësoi ambasadorët si “zërin dhe përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në botë”, duke kërkuar që diplomacia kosovare të jetë “më e koordinuar, më strategjike dhe më e qartë” në atë që kërkon dhe ofron. Burimi: deklarata e Albulena Haxhiut në Konferencën e Ambasadorëve të Republikës së Kosovës.



Të ndryshme
Më shumë
Nëse i dini përgjigjet në këto 5 pyetje, do të jeni të lumtur22 June 2021
OBRM-PDUKM: Kërcënime dhe gjuhë të urrejtjes është oferta e Shilegovit31 August 2021
A Do E Padisë Shqipëria Për Genocid Serbinë? Ja Si Pergjigjet Rama 3 July 2020