Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për lumin Ibër, duke i cilësuar ato si një kërcënim serioz ndaj Kosovës dhe një sinjal destabilizues për rajonin.
“Do t’ju shterojë ujin! Ky është kërcënimi i fundit i padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, është shprehur Berisha.
Reagimi i tij vjen pasi Vuçiç foli për mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e lumit Ibër, duke bërë të ditur se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë dhe inxhinierë. Ibri përshkon territorin e Kosovës dhe Serbisë dhe ka rëndësi të veçantë për furnizimin dhe menaxhimin e burimeve ujore në Kosovë.
Berisha e ka cilësuar deklaratën e presidentit serb si një akt që mund të cenojë stabilitetin në rajon, ndërsa ka deklaruar se Partia Demokratike e dënon atë.
Përplasja politike vjen në një moment kur deklaratat e Vuçiçit për lumin Ibër kanë shkaktuar reagime edhe në Kosovë, ku është theksuar se burimet ujore nuk mund të përdoren si mjet kërcënimi apo destabilizimi.