Nga Vendi
12 August 2026
25 vite nga Marrëveshja e Ohrit, Ferati: Koha për të menduar për të ardhmen

Me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive organizoi një panel-diskutim ku u mblodhën profesorë, ekspertë, ish-diplomatë, politikanë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar jo vetëm për të kaluarën, por edhe për sfidat që e presin vendin. Ministri Agon Ferati tha se përvjetori duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe si mundësi për të orientuar debatin drejt së ardhmes. “Ky aktivitet nuk është vetëm për shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Ai është një mundësi që vëmendjen ta drejtojmë drejt së ardhmes, forcimit të sundimit të ligjit, zhvillimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe, veçanërisht, ndërtimit të kapaciteteve dhe krijimit të më shumë mundësive për të rinjtë”, deklaroi Ferati. Ai veçoi të rinjtë si një prej burimeve kryesore për ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar dhe më stabile, duke e lidhur këtë me nevojën për përmirësimin e standardit të jetesës dhe krijimin e më shumë mundësive brenda vendit. Sipas Feratit, dialogu ndërmjet komuniteteve mbetet i rëndësishëm për forcimin e tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. “Një dialog i tillë i hapur dhe konstruktiv do të ishte një mesazh i fuqishëm për publikun dhe një bazë për ndërtimin e kapaciteteve tona të brendshme për një kulturë të re të dialogut politik dhe shoqëror”, tha ai. Ferati theksoi se paneli, i organizuar vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës së tij, synon të sjellë në një tryezë këndvështrime të ndryshme dhe të prodhojë ide konkrete për mënyrën se si Maqedonia e Veriut mund të vazhdojë të ndërtojë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe t’u përgjigjet sfidave të viteve të ardhshme. 



Të ndryshme
Më shumë
Festivali “Çarshia” nis rrugëtimin në Shkup, art dhe muzikë në hapësirat historike të Çairit23 July 2026
Zbulohet, Shqipëria gati të presë 30 mijë afganë, përfaqësues të UNHCR-në takohen sot me qeverinë për kostot19 August 2021
Artisti i madh Sabri Fejzullahu sot feston ditëlindjen 16 September 2021