BDI shënoi 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke e cilësuar atë si një pikë kthese për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Maqedonisë së Veriut. Në aktivitetin përkujtimor u diskutua për trashëgiminë e marrëveshjes, sfidat e zbatimit të saj dhe rëndësinë që ajo vazhdon të ketë për të ardhmen e vendit. Në panel morën pjesë ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Vlado Buçkovski, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Prof. Dr. Paskal Milo, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hoxhaj, si dhe ish-ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kroaci, Prof. Dr. Milaim Fetai. Diskutimi solli këndvështrime historike, politike dhe rajonale mbi procesin që çoi drejt marrëveshjes dhe zhvillimet e 25 viteve të fundit. Pjesë e aktivitetit ishte edhe Lord George Robertson, i cili në vitin 2001 ishte Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe një prej aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në përpjekjet për zgjidhjen e krizës. Mesazhet e tij u rikthyen në vëmendje rolin e faktorit ndërkombëtar në periudhën vendimtare të vitit 2001. Në kuadër të mbrëmjes u shfaq edhe një film dokumentar, përmes të cilit u sollën momente dhe dëshmi nga ngjarjet që i paraprinë vitit 2001, zhvillimet gjatë atij viti dhe rrugëtimi i vendit në çerekshekullin pas marrëveshjes. Në mesazhin e saj, BDI theksoi se “Marrëveshja Paqësore e Ohrit nuk është vetëm një dokument i së kaluarës”, por mbetet, sipas partisë, “themel i paqes, sigurisë, stabilitetit, barazisë dhe kohezionit të brendshëm të Maqedonisë së Veriut”. BDI e lidhi gjithashtu marrëveshjen me perspektivën euroatlantike të vendit, duke vlerësuar se mbi frymën e saj u ndërtua një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit drejt NATO-s. Marrëveshja u nënshkrua më 13 gusht 2001 dhe i dha fund konfliktit të armatosur të atij viti, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në rendin kushtetues dhe institucional të vendit. “Ruajtja e frymës dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit janë po aq të rëndësishme sot sa ishin 25 vjet më parë”, theksoi BDI, duke e lidhur të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut me “barazinë, respektin e ndërsjellë dhe funksionimin e një demokracie të vërtetë shumëetnike”. Sipas BDI-së, mesazhi i 25-vjetorit është i qartë: rruga drejt Evropës duhet të ndërtohet mbi respektimin e vlerave dhe marrëveshjeve që kanë vendosur bazat e paqes dhe stabilitetit në vend.