Nga Vendi
16 August 2026
Arkin Jahiji zyrtarizon kandidaturën për Bërvenicën: “Nuk vij për të ndarë, por për të bashkuar”

Arkin Jahiji, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Bërvenicës, në garën e parakohshme që vjen pas ndarjes nga jeta të kryetarit Jovica Ilievski. Ilievski, i cili ishte zgjedhur për një mandat të dytë në krye të komunës në zgjedhjet lokale të vitit 2025, ndërroi jetë më 23 qershor 2026. Jahiji është jurist me përvojë në institucionet shtetërore dhe aktualisht kryetar i degës së BDI-së në Bërvenicë. Sipas të dhënave të publikuara nga BDI, ai ka përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Evropës Juglindore dhe ka kryer edhe studime pasuniversitare në administratën publike krahasimtare të Bashkimit Evropian. Në reagimin e tij pas shpalljes së kandidaturës, Jahiji ka falënderuar qytetarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe mërgimtarët për mbështetjen, duke e cilësuar kandidaturën si një përgjegjësi dhe jo thjesht si garë politike. “Kjo kandidaturë nuk është vetëm një garë politike. Është një përgjegjësi ndaj qytetarëve, ndaj vendit tonë dhe ndaj së ardhmes së Bërvenicës”, është shprehur ai. Duke përcaktuar qasjen e tij në këtë garë, Jahiji thotë se synon një politikë që bashkon qytetarët dhe i jep rëndësi dëgjimit të tyre. “Nuk vij për të ndarë, por për të bashkuar; nuk vij vetëm për të folur, por për të dëgjuar”, ka deklaruar kandidati i BDI-së. Ai u është drejtuar veçanërisht edhe mërgimtarëve, duke theksuar se, pavarësisht largësisë, ata mbeten të lidhur me vendlindjen. “Bërvenica është shtëpia jonë e përbashkët, pavarësisht se ku jetojmë”, ka shkruar Jahiji. Kandidati ka premtuar një fushatë të mbështetur në “respekt, përgjegjësi dhe vizion”, ndërsa mesazhin e tij e ka përmbyllur me një thirrje për bashkëpunim: “Bërvenica është e të gjithëve. E ardhmja e saj është përgjegjësi e përbashkët.” Pas vdekjes së Ilievskit, Këshilli i Komunës së Bërvenicës ka emëruar Robert Millosheskin ushtrues detyre të kryetarit deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.



Të ndryshme
Më shumë
"Sot ma vrave për së dyti babanë", vajza e Tahir Sinanit shpërthen ndaj Taulant Ballës25 June 2026
Regjistrimi në Maqedoni do të zbatohet prej 5 deri 30 shtator, autoritetet sigurojnë se nuk do të ketë shtyrje të re 6 July 2021
Getinjo vjen me një këngë të re e cila mbart një mesazh të rëndësishëm16 June 2021