Një përplasje e re politike është hapur rreth paketës së ligjeve për arsimin e lartë, pasi BDI dhe Lidhja Shqiptare kanë reaguar ashpër ndaj ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke e akuzuar se po tenton të anashkalojë zbatimin e parimit të Badenterit dhe se qëndrimet e saj cenojnë të drejtat e shqiptarëve në arsim. BDI e akuzon Janevskën për sulm ndaj Badenterit dhe Marrëveshjes së Ohrit, duke kërkuar që ministrja të tërheqë publikisht deklaratën e saj dhe të kërkojë falje. “Janevska e quan Badenterin ‘mjet’. Kërkon që ai të mos zbatohet aty ku ajo dhe Qeveria mendojnë se ‘nuk duhet’. Kushtetuta nuk ia jep këtë të drejtë”, thuhet në reagimin e BDI-së. Sipas integristëve, Amendamenti X i Kushtetutës kërkon shumicë të dyfishtë për ligjet që prekin çështje të caktuara, ndërsa zbatimi i Badenterit, sipas tyre, nuk mund të varet nga vlerësimi politik i ministres nëse një ligj prek apo jo shqiptarët. BDI e konsideron gjithashtu “poshtëruese” mënyrën se si Janevska i është referuar shqiptarëve si një “komunitet i vogël”, ndërsa kritikon edhe partnerët shqiptarë në Qeverinë e Hristijan Mickoskit, duke i akuzuar se nuk po mbrojnë interesat e shqiptarëve. Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Lidhja Shqiptare, e cila i ka cilësuar vendimet dhe deklaratat e ministres si dëshmi të një politike që, sipas saj, po dëmton arsimin në gjuhën shqipe. “Këto veprime nuk çojnë askund tjetër vetëm se në vitet e 90-ta kur pushteti njëjtë ndalonte, ndërsa shqiptarët kërkonin shkolla shqipe, fakultetin pedagogjik dhe universitetin në gjuhën amtare, për çka kemi edhe dëshmorë!”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare. Nga kjo parti kritikojnë edhe përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri, duke thënë se e gjithë situata po ndodh “me aminin, heshtjen dhe vasalitetin e të përzgjedhurve shqiptarë të Mickoskit në Qeveri”. Debati lidhet me tre ligjet për arsimin e lartë, të cilat kanë qenë pjesë e një procesi të gjatë përgatitor dhe tashmë janë në procedurë parlamentare. Paketën e përbëjnë Ligji për arsimin e lartë, Ligji për cilësinë në arsimin e lartë dhe Ligji për veprimtarinë kërkimore-shkencore. Më 6 gusht, Janevska kishte deklaruar se nuk është në rregull që shumica e Badenterit të përdoret si “mjet” për arritjen e zgjidhjeve politike. Ndërsa në një intervistë për MIA-n më 14 gusht, ajo tha se beson se “arsyeja do të mbizotërojë” dhe se Kuvendi do të gjejë forcë për t’i tejkaluar çështjet politike, në mënyrë që këto tri ligje të mos përdoren për zgjidhjen e çështjeve të tjera. Qëndrimi i saj vjen në një kohë kur opozita shqiptare këmbëngul që gjatë miratimit të ligjeve të respektohet parimi i Badenterit. Përplasja tashmë e zhvendos debatin për reformën e arsimit të lartë përtej përmbajtjes së ligjeve, duke e lidhur atë edhe me zbatimin e mekanizmave kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe me mënyrën se si Qeveria e sheh parimin e Badenterit në procesin ligjvënës.