Nga Vendi
20 August 2026
Siljanovska-Davkova kërkon diplomaci më aktive: “Integrimi evropian është imperativ strategjik”

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në fjalimin e saj para Këshillit të Ambasadorëve në Shkup, kërkoi një diplomaci më proaktive dhe më të koordinuar, të mbështetur në një orientim të qartë kombëtar dhe mbipartiak të politikës së jashtme. Duke folur për ndryshimet në rendin ndërkombëtar, ajo tha se dobësimi i multilateralizmit dhe rritja e multipolaritetit kërkojnë forcim të institucioneve dhe aftësi për reagim më të shpejtë ndaj sfidave të sigurisë. Sipas saj, vendi duhet të ndjekë një politikë të jashtme që kombinon parimet me pragmatizmin dhe që është e aftë të mbrojë interesat kombëtare. Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua integrimit në Bashkimin Evropian. Siljanovska-Davkova vlerësoi se integrimi evropian “nuk është më vetëm çështje politike”, por një “imperativ strategjik, ekonomik, energjetik, gjeopolitik, i sigurisë dhe demografik”. Ajo kërkoi që procesi negociues të jetë i parashikueshëm dhe kredibil, si dhe “i çliruar nga kushtëzimet dypalëshe”. Presidentja u ndal edhe te roli i ambasadorëve, duke theksuar se ata janë “imazhi i shtetit” në arenën rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare. Sipas saj, profesionalizmi, kompetenca dhe njohja e mirë e vendit pritës janë elemente thelbësore për një diplomaci me kredibilitet. Siljanovska-Davkova kërkoi gjithashtu forcimin e diplomacisë ekonomike, shkencore, teknologjike dhe kulturore, si dhe lidhje më të fuqishme me diasporën. Ajo e cilësoi veçanërisht të rëndësishme krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vend, por edhe një klimë që do të mundësonte kthimin e qytetarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë. Në përfundim, presidentja tha se në kushtet e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike nevojitet “një diplomaci njëkohësisht parimore dhe pragmatike”, e bazuar në vlera, por e hapur ndaj realiteteve të reja dhe e aftë për të mbrojtur interesin kombëtar “me dije dhe dinjitet”. 



Të ndryshme
Më shumë
Ahmeti: “Shqiponjat u kthyen në fole”, jemi fitues absolut shkojme per mandatin e 1315 July 2020
Yamal hyn në histori, shënon golin e parë në Kupën e Botës më herët se Mbappé21 June 2026
Policia e Kosovës konfiskon bluzat provokuese të të rinjve serb në Gazimestan28 June 2021