Nga Rajoni
20 August 2026
Dy punëtorë të KEK-ut humbin jetën brenda tri ditësh, kërkohet hetim për sigurinë në vendin e punës

Vdekja e një punëtori të Korporatës Energjetike të Kosovës, pas kontaktit me tensionin elektrik gjatë punës, ka ngritur shqetësime të forta për sigurinë në vendin e punës dhe ka nxitur reagime nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Deputetja Blerta Deliu ka kërkuar hetim të plotë dhe të menjëhershëm, duke theksuar se brenda vetëm tri ditësh dy punëtorë të KEK-ut kanë humbur jetën në vendin e punës. “Siguria e punëtorëve duhet të jetë mbi gjithçka. Duhet hetim i plotë, serioz dhe i menjëhershëm për secilin rast, për kushtet e punës, masat e sigurisë dhe përgjegjësinë institucionale”, ka shkruar Deliu. Reagim ka pasur edhe nga deputetja Ganimete Musliu, e cila ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me respektimin e rregullave të sigurisë në KEK. “Kush mban përgjegjësi për sigurinë e punëtorëve në KEK? A janë respektuar rregullat e sigurisë? Kush i ka vlerësuar rreziqet dhe çfarë masash janë marrë pas incidentit të parë?”, ka pyetur Musliu. Ajo ka kërkuar që rasti të trajtohet përmes një hetimi të plotë dhe transparent, duke theksuar nevojën për përgjegjësi institucionale. “Duhet hetim i plotë, transparencë dhe përgjegjësi. Jo heshtje!”, ka deklaruar ajo. Sipas KEK-ut, punëtori pësoi lëndime të rënda gjatë angazhimit në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV. Ai u dërgua për trajtim në Ambulancën e Obiliqit, por, pavarësisht përpjekjeve mjekësore, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Rasti pritet të jetë objekt i hetimeve për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes, respektimin e masave të sigurisë dhe përgjegjësinë eventuale institucionale. 



Të ndryshme
Më shumë
Kandidati për Kryeministër, Naser Ziberi zhvilloi takime në fshatrat e Tetovës (FOTO)10 July 2020
“Republika e Maqedonisë së Veriut”, nga sot fillon dhënia e pasaportave me emrin e ri 1 July 2021
Moti sot në Maqedoninë e Veriut17 September 2021