Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka konstatuar të konstituuar legjislaturën e XI të Kuvendit të Kosovës, pasi janë zgjedhur nënkryetarët nga radhët e LDK-së, të komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe.
Nga LDK-ja u zgjodh Kujtim Shala, ndërsa nga radhët e komunitetit serb u zgjodh Tanja Vujoviq. E nga radhët e komuniteteve tjera u zgjodh Emilia Rexhepi.
Në këtë seancë Haxhiu tha se përkundër thirrjeve të sërishme që Partia Demokratike e Kosovës të marrë pjesë në seancë, dhe atë për herë të tretë, deputetët e kësaj partie s’gjenden në seancë. Ajo tha se rrjedhimisht, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vazhdohet me votimet e nënkryetarëve tjerë pasi nuk mundet askush ta mbajë peng konstituimin.
“Sot është hera e tretë që PDK-ja nuk merr pjesë në seancën konstituvie për të bërë propozimin sipas kushtetutës. PDK ka qenë e njoftuar për seancën konstituvie nuk është e pranishme dhe rrjedhimisht nuk po e ushtron të drejtën për të drejtën kushtetuese. Bazuar edhe në qëndrimin e gjykatës Kushtetuese kuvendi nuk mund të jetë peng i askujt prandaj edhe vazhdojmë me propozimin nga LDK-ja”, tha ajo.
PDK-ja para fillimit të seancës njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seanca tjera dhe se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu në një letër drejtuar Haxhiut tërhoqi përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare.
Po ashtu në seancë nuk morën pjesë as deputetët e Aleancës dhe disa deputetë nga LDK-ja.