Nga Rajoni
17 September 2026
Clark: Dhamë dëshmi që do ta rrëzojnë këtë dënim, SHBA të punojë që Apeli ta marrë vendimin e duhur

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, i cili e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999 për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, nuk e kupton arsyeshmërinë e vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dje për t’i dënuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 81 vjet burgim.

Clark tha se dëshmia e tij dhe dëshmitë e të tjerëve do të shpiejnë te rrëzimi i këtij vendimi në Apel.

“Por e di që unë dhe shumë të tjerë kemi dhënë dëshmi që do të shpiejnë te rrëzimi i këtij vendimi”, tha ai në emisionin “Off the Record me Andrea Dangllin” në A2 CNN.

Amerikani tha se nuk i di motivet dhe “çfarë ka ndodhur pas dyerve me gjykatësit” për ta sjellë këtë vendim, të cilin e quan të pakuptimtë.

“Sepse duhet parë edhe nga vetë Gjykata e Apelit, por nuk i di motivet dhe çfarë ka ndodhur veçanërisht pas dyerve me gjykatësit. Për mua nuk ka kuptim, por ndoshta është diçka që ata dinë që ne nuk e dimë”, tha ai.

Akuzat mbi të cilat u dënuan ish-drejtuesit e UÇK-së, Clark i quan qesharake dhe të pambështetura në dëshmi të forta.

“E kam shumë të vështirë të kuptoj se si mundet një gjykatë e tillë ta dënojë një organizatë të tillë me akuza qesharake që janë bërë dhe që nuk u gjetën dëshmi të forta për to”, tha ai.

“Dhe në pikëpamjen time, pavarësisht se s’jam jurist, shpresojmë që të kemi një rezultat tjetër në Apel”, tha Clark.

I pyetur nëse mendon se SHBA-ja do ta mbështesë pa rezerva këtë proces nëse edhe Apeli konfirmon vendimin e djeshëm, Clark tha se “SHBA-ja dhe vendet e tjera duhet të punojnë për procesin e Apelit që Apeli të dalë me vendimin e duhur”.

Clark tha se “mund ta dërgonim edhe George Washingtonin në një gjykatë të tillë”.

“Nuk ka kuptim të ndëshkohen këta njerëz”, tha ai.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim – të gjithë për krime lufte.



Të ndryshme
Më shumë
Fjolla Morina “lajmërohet” sërish nga paraburgimi, habit me veprimin23 July 2021
Mickoski parashtroi 10 pyetje për rastin tragjik në Tetovë14 September 2021
Trump kërkon president të ri për Ukrainën pas kritikave të Zelenskyt ndaj marrëveshjes për karburantin rus11 October 2026