Nga Rajoni
18 September 2026
Aktgjykimi i Gjykatës Speciale, për çka u dënuan katërshja e UÇK-së?

Gjykata Speciale i dënoi të mërkurën e 16 shtatorit katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vjet burgim, dënim ky që u cilësua si i padrejtë nga qytetarët dhe zyrtarët e shtetit të Kosovës, pasi lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe për liri.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu i ka cilësuar dënimet si “goditje të rëndë” për familjet e tyre dhe si një moment të rëndë për Kosovën dhe shqiptarët.

“Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu u ka bërë thirrje familjeve që të qëndrojnë të forta, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar me vendimin e shkallës së parë.

“Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, ka shkruar ajo.

Në reagimin e saj, Haxhiu ka folur edhe për luftën e UÇK-së, duke thënë se ajo ishte çlirimtare dhe se aktgjykimi nuk mund ta ndryshojë, sipas saj, natyrën e saj.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se respektimi i drejtësisë nuk duhet të nënkuptojë heshtje për atë që e cilëson si përpjekje për shtrembërimin e historisë.

“Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme”, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka kërkuar një qëndrim të qartë edhe nga miqtë dhe aleatët e Kosovës.

“Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë”, ka thënë ajo.

Në fund, ushtruesja e detyrës së presidentes ka bërë thirrje për qetësi dhe bashkim.

“Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë”, ka shkruar Haxhiu.

“Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë”, ka përfunduar ajo.

Lidhur me vendimin ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Ai në një konferencë për media theksoi 16 shtatori është një ditë e rëndë për Kosovën, një ditë e zezë, por edhe një ditë e turpit për drejtësinë ndërkombëtare.

Hamza ka thënë se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka sjell dhimbje dhe zhgënjim të thellë tek të gjithë ne.

“Një dhimbje e zhgënjim që nuk e kemi pritur. Mendjet dhe zemrat tona, para së gjithash, sot janë me Hashim Thaçin, me Kadri Veselin, me Jakup Krasniqin e me Rexhep Selimin dhe me familjet e tyre, të cilat për gati gjashtë vjet e kanë bartur peshën e këtij procesi. Por, të lënduar, të zhgënjyer, të mllefosur jemi edhe ne, të gjithë ne, qytetarët e Kosovës dhe tërë shqiptarët në botë. Vendimi i shqiptuar sot nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës”, ka thënë Hamza.

Lidhur me dënimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kanë folur edhe ish-komandanti i NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark.

Ai ka thënë se është “i shokuar dhe i zemëruar” nga vendimi.

Clark ka thënë se gjatë kohës së luftës në Kosovë kishte bashkëpunuar me UÇK-në dhe se nuk ka parë dëshmi që, sipas tij, do ta justifikonin një vendim të tillë.

“Unë kam dëshmuar në gjyq, kam thënë se çfarë kam parë dhe e dija se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe bashkëpunimin tonë me UÇK-në dhe nuk kam parë asnjë dëshmi që të justifikojë këtë lloj vendimi”, u shpreh ai.

Po, për çfarë u dënuan Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi?

Në aktgjykimin e Gjykatës Speciale bëhet e ditur se për çfarë janë dënuar dhe nga sa vjet, duke dhënë edhe vendimin e dënimit të njësuar (të dhënat janë marr nga aktgjykimi i Gjykatës Speciale).

Hashim Thaçi

Trupi Gjykues ka vendosur:

Dënim me 15 vjet burgim për krimin e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar

Dënim me 4 vjet burgim për krimin e luftës të trajtimit mizor

Dënim me 20 vjet burgim për krimin e luftës të torturës

Dënim me 23 vjet burgim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme

Dënimi i njësuar me 25 vjet burgim, në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Jakup Krasniqi

Trupi Gjykues ka vendosur:

Dënim me 15 vjet burgim për krimin e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar

Dënim me 4 vjet burgim për krimin e luftës të trajtimit mizor

Dënim me 20 vjet burgim për krimin e luftës të torturës

Dënim me 23 vjet burgim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme

Dënimi i njësuar me 25 vjet burgim, në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

KADRI VESELI

Trupi Gjykues ka vendosur:

Dënim me 10 vjet burgim për krimin e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar

Dënim me 3 vjet burgim për krimin e luftës të trajtimit mizor

Dënim me 13 vjet burgim për krimin e luftës të torturës

Dënim me 16 vjet burgim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme

Dënimi i njësuar me 18 vjet burgim, në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

REXHEP SELIMI

Trupi Gjykues ka vendosur:

Dënim me 6 vjet burgim për krimin e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar

Dënim me 2 vjet burgim për krimin e luftës të trajtimit mizor

dënim me 8 vjet burgim për krimin e luftës të torturës

Dënim me 11 vjet burgim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme

Dënimi i njësuar me 13 vjet burgim, në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Fjolla Morina arrestohet në Prishtinë19 July 2021
Kompanitë e Maqedonisë do të mund të marrin pjesë në tenderët e NATO-s10 August 2021
Janevska: Ka nisur kthimi i emigrantëve, po investojmë për të ndalur rënien e nxënësve17 April 2026