Nga Rajoni
18 September 2026
Ali Ahmeti mohon përplasjen Thaçi–Allaqi në Kollare

Një nga themeluesit dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Ahmeti ka mohuar se në fshatin Kollare të Kërçovës ka pasur përplasje mes ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Beadin Allaqit.

“Në Kollare nuk ka pasur asnjë përplasje në mes Hashim Thaçit dhe Beadin Allaqit. Pjesëmarrja e Hashim Thaçit në Kollare, ai ka qenë njëri nga pjesëmarrësit më të rinj në atë takim dhe nuk ka pasur fare debat midis Thaçit dhe Allaqit. Beadin Allaqi ka qenë në krye të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Për çudi, tani po e bëjnë atë legjendë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti ka folur edhe për dëshminë e tij pranë Prokurorisë së Specializuar, duke thënë se kishte kërkuar që deklarata të publikohej, pasi është person publik dhe dëshmia e tij, sipas tij, është dhënë para dy prokurorëve.

“Unë kam bërë deklaratën time pranë Prokurorisë Speciale. Kam kërkuar atëherë që dëshmia ime të publikohet, sepse jam person publik dhe e tërë kjo situatë është e deklaruar përpara dy prokurorëve të Prokurorisë Speciale”, ka thënë ai.

Sipas Ahmetit, atij i është premtuar se deklarata e tij do të publikohet pas përfundimit të hetimeve.

“Kam marrë premtimin që deklarata ime, do të publikohet pasi të dalë epilogu i hetimit”, ka deklaruar Ahmeti.



Të ndryshme
Më shumë
Ermal’s Art, Galeria e parë shqiptare online që promovon artin bashkëkohor16 January 2026
Vdekja e 7 vjeçares, Komisioni disiplinor ka biseduar me të gjithë mjekët23 September 2025
QMK: AKTIVE GJASHTË ZJARRE, JANË SHUAR TRE15 July 2025