Nga Vendi
18 September 2026
Arta Bilalli-Zendeli përfaqëson Ballkanin në Samitin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Jerevan

Nënkryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arta Bilalli-Zendeli, ka marrë pjesë në Samitin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Jerevan, Armeni, ku ka sjellë përvojën e Ballkanit Perëndimor në një diskutim ndërkombëtar kushtuar paqes, sigurisë dhe rolit të grave në vendimmarrje. Një prej momenteve kryesore të pjesëmarrjes së saj ishte moderimi i panelit “Ballkani Perëndimor: Mësime në ndërtimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë”, organizuar në kuadër të samitit nga International Republican Institute, IRI. Në panel, Bilalli-Zendeli bashkëbisedoi me tri gra me përvojë të veçantë në jetën publike dhe sektorin e sigurisë, Jevrosima Pejović, deputete në Parlamentin e Malit të Zi, Vesna Marjanović, ish-deputete e Parlamentit të Serbisë, dhe Taibe Canolli-Brajshori, kolonele në Policinë e Kosovës. Diskutimi u fokusua te përvojat e Ballkanit Perëndimor, një rajon i cili ka kaluar nëpër konflikte, marrëveshje paqeje dhe procese të vështira të ndërtimit të besimit e qëndrueshmërisë. Bilalli-Zendeli theksoi se qëllimi nuk ishte të ofroheshin modele të gatshme, por të ndaheshin mësime dhe përvoja që mund të përshtaten në kontekste të tjera. “Përvojat tona kanë më shumë vlerë kur i ndajmë me të tjerët”, u shpreh ajo, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave mes grave nga rajone të ndryshme. Në fokus të diskutimit ishte edhe pjesëmarrja e grave në proceset e vendimmarrjes. Sipas Bilalli-Zendelit, gratë nuk duhet të shihen vetëm si pjesëmarrëse në këto procese, por si zëra që ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet që lidhen me paqen dhe sigurinë. Pjesëmarrja e Bilalli-Zendelit në një forum të tillë ndërkombëtar vjen si një tjetër angazhim i saj në çështjet që lidhen me rolin e gruas, përfaqësimin dhe dialogun shoqëror e politik. Ajo e ka cilësuar qëndrimin në Jerevan si një mundësi të veçantë për të reflektuar mbi përvojat e Ballkanit dhe për t’i përcjellë ato përtej rajonit. Në përfundim, Bilalli-Zendeli ka shprehur mirënjohje për International Republican Institute për hapësirën e krijuar për dialog, shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim mes grave nga vende e rajone të ndryshme.



Të ndryshme
Më shumë
Dalin pamjet! Melisën e paskemi parë edhe para 4 viteve në televizion dhe nuk e kemi ditur!23 August 2021
Pajtimi politik shtyn pakon e ligjeve për arsimin e lartë21 July 2026
Nuri i shtatzënisë e ka ndryshuar Gentën, i dashuri i saj publikon pamje të këngëtares në pritjen e ëmbël 3 September 2021