Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka inspektuar nga afër punimet infrastrukturore që po zhvillohen në disa pjesë të komunës, me fokus në rikonstruksionin e rrugëve, trotuareve dhe hapësirave për fëmijë. Gjatë vizitës në terren, Mexhiti u ndal te rruga “Emin Duraku”, e cila është një nga rrugët që po rikonstruktohen. Më pas, ai vizitoi edhe rrugët “Dervish Hima” dhe “Parashqevi Qiriazi”, ku, sipas tij, po zhvillohen punime për asfaltimin, rregullimin e trotuareve me kubëza dhe përmirësimin e hyrjeve të banesave. “Çdo rrugë e Çairit ka rëndësinë e vet. Çdo lagje meriton kushte më të mira. Prandaj, po investojmë gjithandej”, është shprehur Mexhiti. Ai bëri të ditur gjithashtu se në këto lagje janë rregulluar dhe janë vendosur kënde të reja lojërash për fëmijë, duke e lidhur përmirësimin e infrastrukturës me krijimin e hapësirave më funksionale për banorët. “Një lagje e mirë nuk ka vetëm rrugë të rregulluara. Ka trotuare, hapësira për fëmijë dhe kushte më të mira për jetën e përditshme”, ka deklaruar kryetari i Çairit. Mexhiti tha se punimet po zhvillohen në disa zona të komunës dhe kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve gjatë kohës që zgjasin ndërhyrjet. “Çairi sot është një kantier ndërtimi. Dhe për këtë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, sepse po punohet. Po investohet. Për komunën tonë. Për lagjet tona. Për të ardhmen”, u shpreh ai.