Aleanca ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit, duke përsëritur qëndrimin se procesi është zvarritur qëllimisht për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.
Sipas kryetarit të Aleancës, Ardian Gjinu që nga 7 qershori e deri më tani, partia fituese e zgjedhjeve të kaluara ka zvarritur procesin institucional me synimin për rikthimin e vendit në zgjedhje.
“E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë”, thuhet në reagimin e tij.
Gjini e ka cilësuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si përgjegjësin kryesor për situatën e krijuar, duke deklaruar se Kosova tashmë po shkon drejt zgjedhjeve.
“Qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”, thuhet në reagim.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka nxjerrë vendin nga një situatë e paparashikuar e krizës institucionale, ndërsa 6 tetori përmendet si datë e pritshme nga partia fituese e zgjedhjeve të kaluara.
Në reagim Gjini ka theksuar gjithashtu se shkeljet kushtetuese nuk mund të arsyetohen me motive patriotike.
“Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme”, ka theksuar Gjini.
Në fund, Aleanca ka deklaruar se qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm për, siç e cilëson ajo, lojërat politike dhe interesat partiake, duke shtuar se qytetarët do ta vlerësojnë se cilët akterë ofrojnë zgjidhje për përmirësimin e jetës së tyre.