Blerim Xhemaili beson se përfaqësuesja e Zvicrës aktualisht është e vështirë të imagjinohet pa Granit Xhakën në qendër të mesfushës.
Xhaka nuk është përfshirë në grumbullimin aktual të Zvicrës, pasi pranoi se kishte falsifikuar një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19.
Rasti i tij ka nxitur diskutime të shumta në Zvicër, ndërsa për situatën e ish-bashkëlojtarit të tij ka folur edhe Xhemaili.
Ish-mesfushori i Zvicrës, i cili tashmë angazhohet si ekspert futbolli në mediat zvicerane, ka komentuar rastin e Xhakës në një intervistë për “Blick”.
Duke folur fillimisht për falsifikimin e certifikatës, Xhemaili theksoi se duhet bërë dallimi mes rolit publik të futbollistëve dhe jetës së tyre private.
“Futbollistët, nga njëra anë, kanë rolin e modelit për të tjerët. Por, nga ana tjetër, ata kanë edhe jetën e tyre private. Këto dy gjëra duhet të mbahen të ndara”.
“Granit Xhaka është një figurë shumë polarizuese. Për këtë arsye është e kuptueshme që kjo temë është diskutuar më shumë në rastin e tij sesa në rastet e të tjerëve”, tha Xhemaili.
Ai shtoi se Federata Zvicerane e Futbollit dhe Xhaka do të diskutojnë për të ardhmen e tij me përfaqësuesen pas përfundimit të ndeshjeve aktuale.
“Federata dhe Graniti do të ulen pas këtyre ndeshjeve dhe do të marrin një vendim për të ardhmen e tij në ekipin kombëtar. Mendoj se Graniti dëshiron të mbetet kapiten”, u shpreh ai.
Xhaka për një kohë të gjatë ka qenë një prej liderëve kryesorë të Zvicrës, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
I pyetur nëse do ta kishte të njëjtin qëndrim sikurse Federata Zvicerane në një situatë të tillë, Xhemaili tha se nuk mund të japë një përgjigje të prerë.
“Sinqerisht, nuk mund të them se çfarë do të bëja po të isha në pozitën e federatës. Por, për momentin, është e qartë se nuk mund ta imagjinoj ekipin kombëtar pa Granit Xhakën”, përfundoi Xhemaili.