Nga Rajoni
29 September 2026
Pasi u vendosën gjyqtarët për apelin e ish-krerëve të UÇK-së, si vijojnë afatet e procedurës?!

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, kanë konfirmuar për Telegrafin përbërjen e Panelit të Apelit që do të shqyrtojë kërkesat e mbrojtjes dhe parashtresat lidhur me apelin ndaj aktgjykimit të Trupit Gjykues në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Sipas përgjigjes nga zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep, Paneli i Apelit përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen.

“Më 22 shtator, Presidentja e Dhomave të Specializuara, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova, caktoi një Panel të Apelit për të vendosur mbi kërkesën e ekipeve të mbrojtjes për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimit të apelit, si dhe mbi të gjitha parashtresat nga cilado palë lidhur me një njoftim apeli në lidhje me aktgjykimin e Trupit Gjykues në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara për Telegrafin.

Sipas Speciales, në caktimin e panelit janë marrë parasysh kriteret e përcaktuara në Rregulloren për Caktimin e Gjyqtarëve, përfshirë përvojën dhe ekspertizën relevante, si dhe disponueshmërinë e gjyqtarëve.

“Paneli përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen”, thuhet në përgjigje.

Sa i përket kohëzgjatjes së procedurës së Apelit, Specialja thotë se është ende herët të përcaktohet se sa do të zgjasë procesi, pasi kjo do të varet edhe nga kompleksiteti i rastit.

“Është ende herët të thuhet se sa do të zgjasë procedura e apelit, pasi kjo do të varet nga kompleksiteti i rastit”, ka thënë Griep.

Megjithatë, ajo ka sqaruar se Rregullorja e Procedurës dhe Provave përcakton afate për disa nga hapat e procesit.

“Njoftimi i apelit kundër aktgjykimit të Trupit Gjykues duhet të dorëzohet brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit. Brenda 60 ditësh nga paraqitja e njoftimit të apelit, duhet të dorëzohen parashtresat e apelit, ndërsa pala tjetër mund të përgjigjet brenda 30 ditësh. Ankuesi më pas mund të paraqesë kundërpërgjigje brenda 15 ditësh”, ka sqaruar Griep pjesën procedurale.

Ajo ka theksuar se edhe kërkesat eventuale për paraqitjen e provave shtesë kanë afate të përcaktuara, përfshirë 30 ditë për paraqitjen e kërkesës, 30 ditë për përgjigjen e palës kundërshtare dhe 15 ditë për kundërpërgjigje.

Pas parashtresës së fundit nga palët, Paneli i Apelit tërhiqet për të shqyrtuar çështjen dhe për të shpallur Vendimin brenda 60 ditëve nga dorëzimi i fundit.

“Nëse rrethanat kërkojnë kohë shtesë, kjo nuk duhet të kalojë 30 ditë, përveç rasteve kur një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e domosdoshme. Trupi Gjykues i Apelit mund ta lërë në fuqi, ta anulojë ose ta ndryshojë vendimin e Trupit Gjykues të shkallës së parë”, ka sqaruar Specialja.

Specialja ka bërë të ditur gjithashtu se vendimi për caktimin e Panelit të Apelit është i publikuar në dokumentet zyrtare të institucionit.

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Të njëjtit u dënuan me 81 vjet burg në totat.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me 25 vjet burgim secilin, Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13. Të katërtit u gjetën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Trupi gjykues rrëzoi akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime kundër njerëzimit.

Vendimi u cilësua si i padrejtë nga krerët shtetërorë të Kosovës, teksa ekipet mbrojtëse paralajmëruan se do ta apelojnë atë. 



Të ndryshme
Më shumë
Të hënën në Kuvendin e Kosovës dorëzohet peticioni “Për një Ferizaj pa "Urosevac”26 September 2026
Qeveria e Kosovës vendos për lirim gradual të masave anti-Covid22 June 2021
Bora dhe moti i ftohtë shkaktojnë probleme në Shqipëri14 February 2021