Nga Vendi
30 September 2026
Videoklipi i Don Xhonit çon në dorëheqjen e Drejtorit të Muzeut Historik të Krushevës, Miha Oxhaklieski

Drejtori i Institucionit Kombëtar Muzeu Historik – Krushevë, Miha Oxhaklieski, sot ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra, duke theksuar se vendimi është një akt personal, moral dhe etik, si dhe shprehje e përgjegjësisë ndaj institucionit dhe publikut.

Dorëheqja e Oxhaklieskit vjen pas reagimeve në opinion lidhur me xhirimin e videoklipit “Sexy Mama” nga reperi kosovar Don Xhoni, brenda monumentit “Makedonium” në Krushevë, i cili është trashëgimi kulturore e mbrojtur e shtetit.

Oxhaklieski në dorëheqjen e tij thekson se në rastin konkret nuk është shkelur asnjë ligj, rregullore apo akt tjetër, dhe as nuk është vepruar në kundërshtim me ndonjë vendim të miratuar nga Bordi Drejtues i institucionit. Sipas tij, bëhet fjalë për një procedurë që ishte pjesë e një praktike tashmë të vendosur dhe të zbatuar më parë në institucion.

Megjithatë, siç thekson ai, drejtimi i një institucioni publik nënkupton përgjegjësi që nuk kufizohet vetëm në respektimin e normave ligjore, por kërkon edhe standarde të larta morale dhe etike, veçanërisht kur bëhet fjalë për besimin e publikut.

Ai i ka kërkuar gjithashtu falje publikut për paqartësinë e krijuar dhe për lëshimin e paqëllimshëm, duke theksuar se kërkesa për falje është shprehje e respektit ndaj qytetarëve dhe institucionit të cilit i ka shërbyer.

Oxhaklieski thekson se dorëheqjen e paraqet me ndërgjegje të pastër sa i përket përgjegjësisë ligjore, por me vetëdije të plotë për përgjegjësinë morale që mbart pozita e drejtorit të një institucioni publik.



Të ndryshme
Më shumë
Mesazhe shprese dhe besimi në Pashkë, besimtarët ortodoksë kremtojnë Ringjalljen e Krishtit12 April 2026
Fillon itinerari dimëror i fluturimeve në Maqedoni24 October 2025
214 raste aktive me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut23 July 2021