Juventusi po planifikon të investojë në një sulmues të profilit të lartë gjatë afatit kalimtar të verës së ardhshme, falë edhe një injektimi të ri kapitali që pritet t’i japë klubit më shumë hapësirë financiare.
Randal Kolo Muani u transferua nga Paris Saint-Germain gjatë kësaj vere, por sulmuesi francez nuk ka arritur të lërë gjurmë në javët e para të sezonit.
Ndërkohë, Nick Woltemade, i huazuar nga Newcastle United, nuk pritet të qëndrojë përfundimisht në Torino.

Sipas La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e Juventusit kanë identifikuar tre objektiva për repartin ofensiv: Benjamin Sesko të Manchester Unitedit, Folarin Balogun të Monacos dhe Brian Brobbey të Sunderlandit.
Brobbey e ka nisur mjaft mirë sezonin e ri, duke shënuar tri gola në pesë paraqitje në Ligën Premier.
Sulmuesi holandez së fundmi pësoi një dëmtim në kofshë gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Gjermanisë dhe Holandës, pikërisht në takimin ku ishte vëzhguar nga afër nga skautët e Juventusit.

Ndërkohë, transferimi i Balogunit te Evertoni dështoi në mënyrë dramatike në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Monaco thuhet se është e hapur për një largim të tij dhe po kërkon një klub të interesuar për ta transferuar në janar ose gjatë verës së ardhshme.
Sa i përket Seskos, sulmuesi slloven nuk është ende titullar i rregullt te Manchester Unitedi, por ka arritur të shënojë dy gola në gjashtë ndeshje këtë sezon.
Juventusi pritet të monitorojë nga afër situatën e të tre sulmuesve në muajt e ardhshëm, përpara se të vendosë se cilin prej tyre do ta bëjë objektivin kryesor për afatin kalimtar të verës.