Jurgen Klopp është bërë përzgjedhësi më i paguar në historinë e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), por në nivel ndërkombëtar një përzgjedhës i kombëtares përfiton pagë edhe më të lartë se ai.
Sipas shifrave të publikuara nga gazeta gjermane Bild, Klopp përfiton rreth shtatë milionë euro në vit në krye të Gjermanisë, duke kaluar të gjithë paraardhësit e tij në këtë pozitë.
Julian Nagelsmann, i cili e drejtoi Gjermaninë para tij, raportohet se kishte pagë vjetore prej rreth gjashtë milionë eurosh. Pas ndërprerjes së kontratës, e cila fillimisht ishte paraparë të zgjaste deri në vitin 2028, ai thuhet se përfitoi edhe rreth shtatë milionë euro dëmshpërblim.
Megjithatë, Klopp nuk është përzgjedhësi më i paguar i një kombëtareje në botë. Këtë pozitë, sipas raportimit, e mban italiani Carlo Ancelotti, i cili pas largimit nga Real Madridi në maj të vitit 2025 mori drejtimin e Brazilit. Ai përfiton rreth 10 milionë euro në vit, ndërsa në klubin madrilen kishte fituar deri në 11 milionë euro.
Pas Ancelottit dhe Kloppit renditet Mauricio Pochettino, përzgjedhësi i SHBA-së, me rreth 6.8 milionë euro në vit. Thomas Tuchel i Anglisë përfiton gjashtë milionë euro, ndërsa paga e Luis de la Fuentes te Spanja është rritur nga dy në pesë milionë euro pas triumfit në Kupën e Botës.
Për dallim prej tyre, Lionel Scaloni, përzgjedhësi që e udhëhoqi Argjentinën drejt titullit botëror, përfiton rreth 2.3 milionë euro në vit. Ndërsa Ralf Rangnick, përzgjedhësi i Austrisë, paguhet me dy milionë euro.
Kalimi te Federata Gjermane e Futbollit përbën edhe një ulje të ndjeshme të të ardhurave për Kloppin, krahasuar me angazhimet e tij të mëparshme. Në rolin e shefit global të futbollit te Red Bull, ai raportohet se fitonte rreth 12 milionë euro në vit, ndërsa paga e tij e fundit bazë te Liverpooli arrinte në 18 milionë euro.
Edhe disa emra të tjerë të njohur kanë pranuar paga më të ulëta pas kalimit në futbollin e kombëtareve. Zinedine Zidane, për shembull, përfiton rreth 3.6 milionë euro, shumë më pak se 12 milionë eurot që fitonte dikur te Real Madridi. Jorge Jesus i Portugalisë merr rreth katër milionë euro në vit, pas pagës prej 12 milionë eurosh që kishte te Al Nassr.
Ndërkohë, përzgjedhësit e kundërshtarëve të Gjermanisë në Ligën e Kombeve paguhen dukshëm më pak se Klopp. Xavi, përzgjdhës i Holandës, përfiton rreth tre milionë euro në vit, ndërsa Ivan Jovanovic i Greqisë 900 mijë euro.