Gazetari Andi Vrapi ka bërë të ditur se këngëtarja Eli Fara ka bërë denoncim zyrtar në polici ndaj kompozitorit Adi Hila.
Vrapi e ka bërë këtë deklaratë të enjten, i ftuar në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, duke u thirrur në burime brenda Policisë.
Sipas tij, denoncimi tashmë është regjistruar dhe, për këtë arsye, organet kompetente nuk kanë më arsye për të mos ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Burime brenda policisë sot në mëngjes kur po shkruheshim kanë treguar që në fakt Eli Fara e ka marrë guximin dhe ka bërë një denoncim në polici”, tha Vrapi.
Ai shtoi se tashmë, sipas tij, autoritetet duhet ta kryejnë punën e tyre.
“Kam përshtypjen tashmë nuk ka më asnjë justifikim nga organet kompetente që të bëjnë asgjë më pak e asgjë më shumë se punën e tyre”, u shpreh gazetari.
Vrapi foli edhe për gratë e përfshira në rast, duke kërkuar më shumë empati nga shoqëria dhe duke thënë se ato nuk u kanë borxh publikut deklarata apo shpjegime.
“Unë mendoj që zonjat në fakt, zonjat në fjalë të gjitha, jo vetëm dy zonjat e njohura, nuk na kanë neve borxh asnjë deklaratë publike apo një shpjegim”, tha ai.