Aina Hoti, themeluese dhe drejtuese e ABI Connexion në Zvicër, ishte pjesë e Konferencës V Mbarëkombëtare, Rajonale dhe Ndërkombëtare “Imazhi i Grave dhe Vajzave Shqiptare: Vlerë, Lidership dhe Ndikim drejt Bashkimit Evropian”, zhvilluar në Vlorë, ku përfaqësoi diasporën shqiptare në Zvicër dhe moderoi panelin “Diaspora shqiptare: dije, sukses dhe ura bashkëpunimi”.
Angazhimi i Hotit është i fokusuar në krijimin e lidhjeve mes profesionistëve, sipërmarrësve dhe organizatave shqiptare në diasporë dhe në vendlindje, përmes projekteve, komunikimit dhe partneriteteve konkrete. Në këtë drejtim, ABI Connexion, e krijuar në Zvicër, synon të shërbejë si një hapësirë ku përvoja dhe njohuritë e diasporës mund të shndërrohen në mundësi të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë ABI Connexion, organizata vepron në fushën e zhvillimit personal dhe profesional, këshillimit, rrjetëzimit dhe promovimit të bizneseve shqiptare, me synim mbështetjen e një brezi të ri sipërmarrësish.
Misioni i saj përfshin gjithashtu krijimin e urave të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe diasporës, si dhe nxitjen e partneriteteve me ndikim ekonomik e social. Një tjetër drejtim i rëndësishëm është ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore shqiptare, veçanërisht tek brezat e rinj të diasporës. Krahas kësaj, nismat e ABI Connexion vendosin theks te fuqizimi i grave dhe vajzave përmes zhvillimit personal, profesional dhe sipërmarrjes, si dhe te shkëmbimi i dijes dhe përvojës përmes mentorimit dhe formimit.
Për Hotin, lidhja mes diasporës dhe vendlindjes nuk duhet të mbetet vetëm në nivel simbolik, por të shndërrohet në bashkëpunime konkrete, ku profesionistët dhe sipërmarrësit mund të ndajnë përvojën, dijen dhe resurset e tyre për projekte me ndikim të qëndrueshëm.