Tradhtia është një nga fenomenet që ka shoqëruar marrëdhëniet njerëzore ndër vite. E gjykuar në çdo kohë, ajo mbetet ende një plagë e dhimbshme, që shpesh lë pas pasoja të forta në martesë dhe në familje.
Pikërisht për të diskutuar rreth këtij fenomeni, këtë të martë, më 6 tetor, ishte e ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” moderatorja Inida Gjata, e njohur gjithashtu për publikun me emrin Zhaku. Gjatë bisedës, ajo bëri të ditur, pa dhënë më shumë detaje në lidhje me martesën e saj, se është drejt divorcit.
“Jam drejt ç’martesës. Më uroni ç’martesë të mbarë.”
Duke folur për tradhtinë dhe mënyrën se si e ka përjetuar atë, Inida Gjata tregoi se me kalimin e kohës këndvështrimi i saj ka ndryshuar. Ajo e përshkroi përjetimin e tradhtisë si një moment shumë të rëndë, por theksoi se sot nuk e sheh më me të njëjtën peshë emocionale.
“Me thënë të drejtën, unë e kam përjetuar shumë keq tradhtinë, po me kalimin e kohës kam kuptuar se e kam ngarkuar veten kot me emocione negative sepse njeriu ecën përpara dhe këto gjëra nuk kanë më pikë rëndësie dhe të tjera gjëra bëhen më të rëndësishme se kjo. Një njeri i tradhtuar ndihet shumë keq, të vrasë veten do, të hapet dheu të futet brenda, do të zhduket fare. Është një dramë shumë e madhe.”
Por tradhtia nuk ishte e vetmja temë në të cilën moderatorja ndau qëndrimin e saj. Ajo foli edhe për martesën, duke u shprehur se tashmë nuk beson më tek ky institucion dhe se e konsideron atë një gabim të madh.
“S’ka pse jeta të të bëhet ferr duke mbajtur kryqe që nuk i mban dot. Është e vështirë nga ana burokratike që të ndërpresësh një marrëdhënie, prandaj do të sugjeroja që njerëzit të mos martohen. Nëse duhet të rrinë me dikë, të rrinë me dikë. Nuk kam aspak besim tek martesa, mendoj që është gabim të martohesh. Nuk ke ç’e do, është diçka që nuk ka ç’të duhet në jetë. Vetëm halle ke!”