Një nga veshjet më ikonike në historinë e muzikës pop pritet të dalë në ankand dhe mund të thyejë rekorde botërore.
Xhaketa origjinale e kuqe prej lëkure, që Michael Jackson veshi në videoklipin legjendar të këngës “Thriller” në vitin 1983, do të nxirret sërish në shitje.
Veshja e rrallë, e cila mban një dedikim personal dhe autografin e Mbretit të Popit në pjesën e brendshme, vlerësohet të shitet për më shumë se 10 milionë dollarë.
Një tjetër objekt që pritet të tërheqë vëmendje është doreza e famshme vezulluese, e zbukuruar me gurë të çmuar, të cilën Jackson e përdori gjatë performancës televizive ku prezantoi për herë të parë lëvizjen e tij ikonike “Moonwalk”. Vlera e saj përllogaritet nga 600 mijë deri në 800 mijë dollarë.
Në ankand do të përfshihen edhe sende të tjera me rëndësi historike, si mokasinat e zeza që këngëtari mbante gjatë provave të “Thriller”, të vlerësuara deri në 50 mijë dollarë, si dhe këpucët që përdori gjatë performancës në “Motown 25”.
Në total, katër objekte të rralla që i përkisnin legjendës së muzikës do të dalin në ankand nga shtëpia e njohur “Julien’s Auctions”, më 7 dhjetor në Abu Dhabi.