Një deklaratë e Lim Hotit ka mjaftuar që historia e tij me Alba Pollozhanin të rikthehet fuqishëm në qendër të vëmendjes, këtë herë me akuza të forta, biseda private dhe detaje të papublikuara më parë.
Në një intervistë me Françeska Rustemin, Limi ka deklaruar se raporti i tij me Albën nuk kishte qenë një lidhje e mirëfilltë dashurie, por diçka e krijuar për kamerat.
Kaq ka mjaftuar që ish-banorja e Big Brother VIP Kosova 4 të shpërthejë në reagime, duke publikuar një varg të gjatë Instagram Stories përmes të cilave ka kundërshtuar versionin e tij.
Por reagimi i Albës nuk është ndalur vetëm te fjalët.
Ajo ka publikuar pamje të bisedave private, të cilat ia atribuon Limit, ku shihen mesazhe dhe telefonata të përsëritura gjatë datave 8, 11 dhe 12 mars 2026, pra pas përfundimit të Big Brother VIP Kosova 4.

Në njërën prej bisedave të datës 11 mars, personi që Alba pretendon se është Limi i shkruan: “Zoti t’mallkoft” dhe “Ma ke kop zemrën”.
Këto mesazhe, të shoqëruara me një numër të madh telefonatash të humbura, janë ndër detajet më të bujshme të materialeve që ajo ka vendosur të bëjë publike.
Në një tjetër moment të komunikimit shfaqet edhe mesazhi: “Në shpi time nuk hyn më dhe mu më humbe. Forever”.
Përmes publikimit të këtyre bisedave, Alba synon të kundërshtojë pretendimin se historia e tyre kishte qenë vetëm për spektakël, duke ngritur pikëpyetje për natyrën e raportit që kishin edhe pas mbylljes së Big Brother-it.
“A të nxjerr ndoshta më mirë screenrecordin se si u përpoqe para një muaji të hyje sërish në kontakt? Boll me gënjeshtra! Boll më nxore të pamoralshme!”, shkruan ajo, duke paralajmëruar se mund të publikojë materiale të tjera.
Një tjetër pjesë e reagimit ka sjellë pretendime edhe më të forta, që lidhen drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e Limit në Big Brother.
Alba pohon se kishte ndërhyrë personalisht për të mundësuar hyrjen e tij në format, duke ushtruar, sipas versionit të saj, presion në dhomën e rrëfimeve që ai të bëhej pjesë e spektaklit.
“Unë e bëra presion Bigut në dhomën e rrëfimeve, ‘o e sillni atë këtu, o unë dal’”, ka shkruar ajo.
Madje, Alba pretendon se e kishte këshilluar Limin të negocionte një pagesë më të lartë për pjesëmarrjen.
“I thashë atij para se të futem: ‘Kur të të kërkoj Bigu, ta dish që unë jam duke të kërku, bëjua të vështirën që të të japin më shumë para!’”, vijon ajo.
“Përdhose gjithçka çka kishim! Për 20,000 euro të qelbura, që unë t’i mundësova ato para të t’i ofronin në Big”, shkruan ajo.
Këto mbeten pretendime të saj, të cilat nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Alba ka pranuar gjithashtu se kishte bërë përpjekje për ta kthyer historinë e tyre në një fenomen televiziv, por këmbëngul se motivi i saj kishte qenë besimi te marrëdhënia dhe e ardhmja e përbashkët.
“Po, unë e bëra si fenomen me qëllim, sepse besoja te marrëdhënia jonë, besoja te ajo që kishim”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, ajo kishte sakrifikuar imazhin personal dhe kishte qëndruar besnike ndaj Limit, ndërsa tani ndihet e tradhtuar nga mënyra se si ai po e paraqet publikisht historinë e tyre.
“Ti po ndihesh krenar që ta dinë njerëzit që kemi qenë bashkë! Shkove, shite lidhjen tonë, gjithçka kishim”, është një tjetër akuzë e saj.
Në një prej reagimeve më emocionale, Alba shprehet:
“Të besova jetën time! Të besova intimitetin tim! Të besova zemrën time! Të besova gjithçka isha!”
Ajo pretendon gjithashtu se, gjatë marrëdhënies së tyre, Limi i kishte kërkuar vazhdimisht të priste, duke i thënë: “Alba, të dua, të lutem duro edhe pak”.
“Kisha besim te ‘NE’ dhe ti po ma shpërblen në këtë mënyrë? Jam krenare me veten që nuk dështova si njeri, përtej gjithë vështirësive qëndrova lojale, po mos e tepro me mua!”, shkruan ajo.
Madje, Alba i ka kërkuar publikisht falje edhe Big Brother-it, duke pretenduar se kishte ndikuar që në spektakël të hynte një person që, sipas vlerësimit të saj, nuk e kishte respektuar.
“I kërkoj falje Bigut për ‘dhunën psikologjike’ dhe për intrigën që ju kam bërë”, ka shkruar ajo, përpara se ta akuzojë Limin për mashtrime dhe mungesë respekti.
Në një tjetër mesazh, ajo shprehet e indinjuar që historia e tyre po diskutohet ende publikisht.
“Morali im si femër me dashuri të pastër nuk e baltosin dot as ti e as gjithë meshkujt e botës si puna jote!”
Në fund, Alba ka theksuar se historia e tyre ka përfunduar pas daljes nga Big Brother dhe se nuk dëshiron që raporti me Limin të vazhdojë të përdoret si temë intervistash.
“Historia jonë ka mbaruar pasi kemi dalë nga Bigu! Dhe nuk dua fare të bëhet intervistë për mua dhe atë! Unë kam vazhduar jetën time!”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se dyshja e nisi historinë gjatë Ferma VIP, ndërsa raporti i tyre u shndërrua në një nga temat më të diskutuara edhe gjatë edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova.
Tashmë, me publikimin e bisedave private, mesazheve emocionale dhe pretendimeve për prapaskenat e spektaklit, Alba ka hapur një kapitull të ri të përplasjes publike.
Mbetet të shihet nëse Lim Hoti do t’u përgjigjet drejtpërdrejt këtyre pretendimeve dhe materialeve që ish-partnerja e tij ka vendosur t’i bëjë publike. /Prive By LS


