Komisioni Evropian e bëri të qartë: udhërrëfyes për anëtarësim do të përgatiten për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën. Maqedonia e Veriut nuk është në listë, thonë nga BDI.
"Dikur ishim të parët në rajon. Sot të gjithë ecën përpara, ndërsa ne mbetemi në vend.
Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës së kësaj Qeverie. Për dy vjet nuk sollën asnjë zgjidhje, nuk hapën asnjë kapitull dhe nuk bënë asnjë hap përpara. Vetëm arsyetime, konflikte dhe akuza ndaj të tjerëve.
Tani po vjen fatura. Të tjerët do të kenë plan, afate dhe më shumë qasje në fondet dhe tregun evropian. Maqedonia e Veriut po largohet nga grupi që ecën drejt anëtarësimit.
Qeveria duhet t’u tregojë qytetarëve: pse mbetëm jashtë, cili është plani dhe sa do t’i kushtojë vendit ky bllokim?
Përgjegjësia është e Qeverisë. E morën një shtet me proces të hapur dhe po e lënë pa rrugë, pa afat dhe jashtë hartës së zgjerimit.
Evropa po ecën përpara. Shqipëria, Mali i Zi po ecin përpara. Vetëm Maqedonia e Veriut po mbahet peng nga kjo Qeveri", thonë nga BDI.