Nga Vendi
10 August 2020
Nuhiu firmosi shqipen në emblemat e policisë

Më shumë se dy vite pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar të hedhë hapat e parë që emblemat në uniformat e policisë të jenë edhe në Gjuhën Shqipe. Ministri i Punëve të brendshme Agim Nuhiu, përmes një postimi në rrjetet sociale informoi se ka nënshkruar aktet normative për zbatimin e dygjuhësisë në uniformat e policisë dhe të njëjtat do të  dorëzohen në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Se sa kohë do të nevojitet për zbatimin e plotë do të varet nga ekzekutivi, se kur do të japë dritë jeshile.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Përkatësisht, Dekreti për ndryshimin dhe plotësimin e Dekretit për Uniformat dhe  Emblemat  në uniformat e policisë e sjell Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Pasi dekreti të marrë dritë jeshile,  miratohet Rregullore për Ndryshim dhe Plotësim të Rregullores për mbajtjen, kohëzgjatjen dhe shpërndarjen e uniformave dhe emblemave të uniformave nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.”

Në Dekretin që duhet të miratojë Qeveria potencohet se ky ndryshim vlen për Shkupin dhe komunat tjera ku së paku 20% e popullsisë flasin  gjuhën zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, duke u bazuar kështu në nenin 8, pika tre e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ku thuhet:

 neni 8/3 Ligji për Përdorimin e Gjuhëve
“Në bazë të nenit 8, pika 3  të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve uniformat e policisë, zjarrfikësve, punonjësve shëndetësorë, në Shkup dhe komunat ku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga ajo maqedonase, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik si dhe në gjuhën që flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”

Alsat siguroi përkthimin në gjuhën shqipe të disa njësiteve të forcave të policisë.

Pasi ky Dekret të Miratohet nga Qeveria, i njëjti do të hyjë në fuqi, 8 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Në bazë të nenit  23 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të gjitha institucionet KANË QENË TË detyruara që më së voni  1 vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve,  të harmonizonin aktet normative për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Deri tani numri i institucioneve që kanë shkelur këtë dispozitë është i lartë.



Të ndryshme
Më shumë
Filipçe: Situata është stabile, nuk planifikojmë kufizime të reja21 June 2021
“Oh gërrnaqa… qitash ka lezet Kosova”, Gjira thotë se vendlindja po ua sheh ‘hajrin’ gurbetqarëve28 September 2021
Moti me diell dhe shumë i ngrohtë, temperatura deri në 41 gardë24 June 2021