Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka ndarë përvojën e saj me kancerin e gjirit, duke bërë thirrje për kontrolle të rregullta, ndërgjegjësim më të madh dhe mbështetje për gratë që përballen me këtë sëmundje.
Në një postim në Facebook, Kusari-Lila ka treguar se ishte diagnostikuar me kancer të gjirit në stadin fillestar, në tetor të vitit 2024. Ajo ka thënë se kishte vendosur të fliste hapur për përvojën e saj, në vend që ta përjetonte sëmundjen në heshtje.
“Vendosa të flas dhe të mos gjykoj as Zotin, as robin për sëmundjen time”, ka shkruar ajo.
Kusari-Lila ka ndarë përvojën e saj edhe në një panel diskutimi për Tetorin Rozë, të organizuar nga Bordi i Studentëve të RIT Kosova, ku është diskutuar për rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe guximin për të folur hapur për kancerin e gjirit.
Ajo ka theksuar se zbulimi i hershëm i sëmundjes është thelbësor, duke shtuar se njohja e këtij fakti dhe forca e brendshme e kanë ndihmuar në përballjen me diagnozën.
“Prandaj flas dhe mundohem, aq sa kam kohë dhe mundësi fizike, të ndaj përvojën dhe bindjet e mia për domosdoshmërinë e kontrolleve, ruajtjen e besimit dhe gjetjen e forcës për ta tejkaluar sëmundjen”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka vlerësuar se Tetori Rozë nuk simbolizon vetëm ndërgjegjësimin, por edhe shpresën, dashurinë për jetën dhe mbështetjen për gratë që përballen me këtë betejë.
Sipas saj, stigma dhe heshtja rreth sëmundjes duhet të thyhen, ndërsa përpjekjet për ndërgjegjësim duhet të shtrihen në të gjitha komunitetet ku ende flitet pak për këtë temë.
Kusari-Lila ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së burrave dhe djemve në këto diskutime, duke bërë thirrje që ata të dëgjojnë dhe të mbështesin gratë, në mënyrë që përballja me sëmundjen të mos bëhet një betejë e vetmuar.
“Beteja e secilës grua duhet të bëhet betejë e të gjithë shoqërisë”, ka shkruar ajo.