Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu, ka bërë të ditura shifrat e arrestimeve dhe procedimeve penale pas protestave të dhunshme të ditëve të fundit në Shqipëri.
Sipas tij, vetëm në Tiranë janë arrestuar 127 persona, ndërsa 244 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Personat e përfshirë dyshohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë kundërshtimin e punonjësve të policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private. Ndër dëmet e raportuara janë shkatërrimi i kamerave të sigurisë, bankomateve dhe rrethimeve metalike.
Ziu bëri të ditur se strukturat policore në Tiranë dhe në qarqe kanë formuar grupe të posaçme hetimore për të zbardhur ngjarjet dhe për të identifikuar personat e përfshirë.
Arrestime dhe procedime edhe në qytete të tjera
Sipas të dhënave të publikuara nga Policia e Shtetit, në Durrës janë arrestuar në flagrancë 23 persona, ndërsa 12 të tjerë janë proceduar për dhunë ndaj policisë dhe shkatërrim të institucioneve e pronës.
Në Korçë janë arrestuar dy persona dhe 23 janë proceduar penalisht për kundërshtim të policisë dhe dëmtim të pronës.
Në Vlorë, 20 persona janë proceduar për pengim të procesit mësimor, kundërshtim të policisë dhe dëmtim të pronës publike. Ndërkaq, në Shkodër janë proceduar nëntë persona për dhunë ndaj policisë dhe shkatërrim të pronës.
Në këtë qytet, një zyrtar policor është plagosur rëndë dhe po trajtohet në Spitalin e Traumës. Sipas Ziut, personi i dyshuar për plagosjen është identifikuar, por nuk është arrestuar për shkak të moshës.
Ndërkohë, në Elbasan janë proceduar gjashtë persona për dëmtimin e një institucioni shtetëror, sinjalistikës rrugore dhe pronës publike. Në Kukës, dhjetë persona janë proceduar për dëmtimin e sinjalistikës rrugore dhe tabelave reklamuese.
Në rang vendi, sipas Policisë së Shtetit, 120 punonjës policie janë lënduar si pasojë e dhunës gjatë protestave.
Policia pretendon se janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme
Ziu deklaroi gjithashtu se policia ka identifikuar kanale dhe grupe komunikimi ku, sipas tij, janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste, si dhe kërcënime ndaj jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e protestës në mënyrë paqësore dhe të distancohen nga personat e përfshirë në akte dhune.
Gjithashtu, u ka kërkuar prindërve të tregojnë kujdes ndaj fëmijëve dhe të rinjve, duke i paralajmëruar për pasojat ligjore që mund të sjellë përfshirja në veprime të dhunshme.
Ziu ka theksuar se Policia e Shtetit do të vazhdojë përmbushjen e detyrave të saj ligjore, pavarësisht sulmeve të raportuara.