Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes Policisë e protestuesve.
Bajraktari në një postim në Facebook shkruan se kryeministri Edi Rama duhet ta dijë që Qeveria është për qytetarët dhe e qytetarëve.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama nuk janë armiq të Shqipërisë. Ata janë e ardhmja e kombit shqiptar!
Një gjë duhet ta dijë Kryeministri Rama: Qeveria është për qytetarët dhe e qytetarëve.
Studentët që po kërkojnë arsim më të mirë, perspektivë, llogaridhënie dhe demokraci duhet të dëgjohen, jo të luftohen. Historia ka treguar se zëri i popullit nuk mund të shtypet me forcë, e as pushteti të mbahet me dhunë.
Në një letër që i kam dërguar Ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, z. Eric Wendt, e shpreha shqetësimin tim të thellë për këtë situatë. Jam shumë i shqetësuar nga pamjet e tmerrshme të arrestimeve dhe përdorimit të tepruar të forcës policore ndaj studentëve, si dhe të keqtrajtimit të gazetarëve që po mbulojnë protestat.
Prandaj, Ambasadorit Wendt i kërkova që Amerika të mos mbetet vëzhguese pasive e këtyre ngjarjeve, por të angazhohet në mbrojtje të lirive dhe të drejtave demokratike në Shqipëri.
Për më shumë se 100 vjet, që nga Presidenti Woodrow Wilson e deri më sot, Amerika ka qëndruar pranë popullit shqiptar. Edhe sot, shqiptarët i kanë sytë nga miku i tyre më i madh.
Shqipëria ka nevojë për demokraci të vërtetë. Për një qeveri që punon e i jep llogari popullit, jo që shtyp e godet protestat e studentëve.
Në ditët në vijim, ne si komunitet shqiptaro-amerikan do të angazhohemi me miqtë tanë në Washington, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave të qytetarëve në Shqipëri.
Zoti e bekoftë popullin amerikan!
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!.