Nga Rajoni
19 October 2026
Edi Rama: Bujrum për dialog, ku të doni, kur të doni, pa kushte

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka kërkuar organizatave të shoqërisë civile që të distancohen qartë nga dhuna dhe keqpërdorimi i të miturve gjatë protestave që po zhvillohen në vend.

Reagimi i tij vjen pas thirrjes së disa organizatave për dialog, ndërsa Rama ka deklaruar se Qeveria është e gatshme të marrë pjesë në diskutime.

Përmes një postimi, ai u ka bërë thirrje organizatave që të japin shembullin e dialogut, por njëkohësisht të dënojnë hedhjen e gurëve, zjarrvënien e institucioneve dhe përfshirjen e të miturve në situata të dhunshme.

Rama ka pretenduar se e drejta e protestës paqësore nuk rrezikohet nga Policia, por nga ata që, sipas tij, nxisin dhunën.

“Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte”, ka shkruar Rama, duke përsëritur gatishmërinë e tij për dialog.

Ai ka theksuar gjithashtu se duhet të mbrohen jeta dhe dinjiteti i çdo personi dhe se askush nuk duhet ta vërë në rrezik jetën e qytetarëve gjatë protestave.

Rama, ka kritikuar protestuesit që ditët e fundit janë përfshirë në përplasje dhe kanë shkaktuar dëme ndaj bizneseve private në Tiranë.

Gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë, Rama tha se një pjesë e protestuesve kanë nevojë për trajtim psikologjik, duke i akuzuar se synojnë të shkaktojnë kaos dhe të shkatërrojnë qendrën e kryeqytetit.

“Adhurojnë molotovin dhe rrëmujën e kaosin e iu turren dyqaneve. Kjo masë ka nevojë për psikologë e për t’u trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash e djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën”, tha Rama.

Ai pretendoi gjithashtu se protestuesit po përdoren nga shërbime të huaja dhe aktorë që, sipas tij, kanë qëllime dashakeqe ndaj Shqipërisë.

“Rusia nuk është aleate dhe partnere e Shqipërisë, nuk na do stabilë dhe me ekonomi e në BE”, deklaroi Rama.

Kreu i Qeverisë shqiptare vlerësoi Policinë për atë që e cilësoi si vetëpërmbajtje maksimale gjatë përballjes me protestuesit.

Rama foli edhe për protestat pranë Ministrisë së Arsimit, duke vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e studentëve në to dhe duke kritikuar ata që, sipas tij, duartrokasin dhunën ndaj policisë.



Të ndryshme
Më shumë
Pendarovski: Maqedonia po ngec në rrugën drejt BE-së për shkak të mungesës së vullnetit politik10 November 2025
Mali i Zi me rregulla të reja Anti Covid, ja çka duhet të dini nëse po planifikoni të udhëtoni aty20 August 2021
Afganët të frikësuar ikin nga vendi, talebanët argëtohen në lodrat për fëmijë17 August 2021