Nga Vendi
10 November 2025
Pendarovski: Maqedonia po ngec në rrugën drejt BE-së për shkak të mungesës së vullnetit politik

Instituti për Gjeopolitikë, Ekonomi dhe Siguri (IGES) në Sarajevë priti ish-presidentin e Maqedonisë, Stevo Pendarovski, i cili mbajti një ligjëratë dhe mori pjesë si mysafir kryesor në sesionin dialogjik me temën “Paradigma e re gjeopolitike: Vendi i Ballkanit në Evropën që po ndryshon”.

Pendarovski foli për zhvillimet gjeopolitike në Ballkan nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë deri në ditët e sotme, duke theksuar se fundi i sistemit bipolar dhe krijimi i shteteve të reja në rajon ndryshuan rrënjësisht Evropën. Ai kujtoi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe procesin e integrimit të vendeve të rajonit në NATO dhe BE.

Sipas tij, pas vitit 2001 ndikimi amerikan në rajon u zvogëlua, ndërsa Bashkimi Evropian, për shkak të procesit të ndërlikuar të vendimmarrjes, lëviz më ngadalë. “Pasi u lamë kryesisht në duart e elitave tona politike e ekonomike, pa përvojë demokratike, integrimet euroatlantike filluan të ngadalësohen”, tha Pendarovski.
 

Ai nënvizoi se askush nuk e ka ndryshuar emrin e shtetit për t’u anëtarësuar në një organizatë ndërkombëtare, përveç Maqedonisë, dhe se kjo e ka bërë vendin më të sigurt.

Duke folur për aktualitetin, Pendarovski tha se pushtimi rus i Ukrainës është një nga momentet më të rëndësishme gjeopolitike të kohëve moderne dhe se ngjitja e mundshme e Donald Trump në një mandat të dytë mund të sjellë ndryshime të mëdha në gjeopolitikë.

“Autokratët në rajon e mbështesin Trumpin sepse besojnë se sovranët duhet të kontrollojnë shtetet, por historia tregon se asnjë vend i izoluar nuk është bërë i madh”, tha ai.

Në fund, ai shprehu keqardhje që, sipas tij, qeveria aktuale në Shkup nuk ka vullnet politik për të çuar vendin përpara drejt Bashkimit Evropian, ndërkohë që Shqipëria dhe Mali i Zi pritet të anëtarësohen në BE deri në fund të dekadës.

 



Të ndryshme
Më shumë
Për herë të parë pas dy muajve dje nuk është regjistruar asnjë vd ekje nga COVID në Maqedoni22 July 2020
Dita më vdekjeprurëse për trupat amerikane në Afganistan që prej vitit 2011-të27 August 2021
Pesë aktorët e njohur turq që janë me origjinë shqiptare, disa edhe nga Kosova30 July 2021