Protestuesit hynë të hënën vonë në një stacion televiziv serb që mbështet ish-presidentin Aleksandar Vuçiq, duke ndërprerë transmetimin për të kërkuar arrestimin e kryeredaktorit të tij, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë për natën e dytë të festimeve pas zgjedhjeve, raportoi agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.
Lista Studentore e Serbisë, e krijuar nga një lëvizje protestuese kundër korrupsionit e udhëhequr nga studentët, e rrëzoi Vuçiqin në një zgjedhje historike të dielën, duke i dhënë fund 14 viteve të tij në pushtet. Ai kishte shërbyer si ministër i Informacionit gjatë kohës së Sllobodan Millosheviqit dhe kishte ruajtur kontroll të rreptë mbi mediat.
Pamjet e drejtpërdrejta të transmetuara nga Informer TV treguan rreth 30 persona që hynë në redaksinë e televizionit të hënën në mbrëmje dhe rrethuan kryeredaktorin dhe pronarin, Dragan Vuçiqeviq. Disa protestues bërtitën: “Kështu është në Serbinë e lirë” dhe “Ku është Vuçiqi tash?”. Disa kërkuan gjithashtu arrestimin e Vuçiqeviqit.
Në llogarinë e tij personale në Instagram, Vuçiqi, i veshur me një bluzë ku shfaqej fjala “më falni” e kryqëzuar, e cilësoi ngjarjen si sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së gazetarisë.
THIRRJE PËR QETËSI
Lëvizja studentore nuk ka një udhëheqës të qartë dhe serbët po presin të shohin se kë do të emërojë ajo kryeministër dhe në pozita të tjera kyçe. Kandidati kryesor në listën e saj zgjedhore, kardiologu Ilija Srdanoviq, bëri thirrje për qetësi.
“Ju kërkojmë të qëndroni të qetë dhe dinjitozë deri në përfundim të procesit zgjedhor, ashtu siç keni qenë deri më tani”, tha ai në një video të publikuar në llogarinë e tij në Instagram. “Mos iu drejtoni asnjë forme dhune. Lista juaj Studentore dhe lëvizja juaj studentore ju bëjnë thirrje për këtë”.
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë deklaroi se të martën do të paraqiste një kërkesë për t’ia revokuar licencën e transmetimit Informer TV-së, duke përmendur shkelje sistematike të ligjit dhe të detyrimeve programore.
“Në ditën e parë të pushtetit të Listës Studentore, ata duan t’i ndalojnë mediat. Ata kanë thënë gjithçka për veten dhe asgjë për ne”, i tha Reuters-it Vuçiqeviqi i Informer-it.
Një grup njerëzish u mblodh gjithashtu të hënën në mbrëmje para televizionit privat Pink TV, pro-Vuçiq, në Beograd, i cili ishte rrethuar nga policia.
Më herët, transmetuesi publik RTV në rajonin e Vojvodinës e nisi edicionin e lajmeve të mbrëmjes duke u kërkuar falje shikuesve për mospërmbushjen e rolit të tij, duke përmendur raportimin e njëanshëm dhe jokritik.
Njoftimi të kujtonte një veprim të kanalit kryesor të televizionit shtetëror hungarez, i cili në korrik, pas humbjes në zgjedhje të partisë Fidesz të ish-kryeministrit Viktor Orban, tre muaj më parë, shfaqi një ekran të zi me mesazhin: “Mediat publike nuk mund të gënjejnë. Kërkojmë falje që e kemi bërë këtë për shumë vite”.
Serbia u rendit e 104-ta në mesin e 180 vendeve në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2026, të publikuar nga Reporterët pa Kufij. Ky ishte pozicioni më i ulët i saj ndonjëherë dhe më i keqi në rajonin e BE-së dhe Ballkanit.
Organizata monitoruese e zgjedhjeve Crta tha javën e kaluar se televizionet me shtrirje kombëtare u kishin dhënë përfaqësuesve të qeverisë tri të katërtat e kohës së caktuar për politikanët. Lista Studentore u paraqit në mënyrë negative në më shumë se 80% të rasteve kur u diskutua, shtoi Crta.