Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar sistemin e drejtësisë në vend, duke thënë se ai shpeshherë nuk i mbron qytetarët e dobët dhe të pambrojtur, por del në anën e të fuqishmëve.
Në mbledhjen e Qeverisë të së mërkurës, Kurti e cilësoi reformimin e drejtësisë si urgjencë kombëtare, ndërsa kërkoi llogaridhënie institucionale për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Duke folur për funksionimin e drejtësisë, Kurti tha se institucionet e drejtësisë nuk po arrijnë të garantojnë mbrojtje të barabartë për qytetarët, duke pretenduar se peshorja e drejtësisë anon nga të fuqishmit dhe ata që kanë pasuri.
“Në Kosovën tonë dhe ndoshta jo vetëm në Kosovë, drejtësia, fatkeqësisht, nuk është në mbrojtje të dobëtit, përkundrazi, drejtësia shpeshherë ka dalë në krahun e të fortit. Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë disi e shtrembër”, deklaroi Kurti.
Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, funksionon sistemi i drejtësisë, duke thënë se drejtësia nuk po vepron në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve.
“Natyrisht, shpata nuk ka për t’i rënë krimit dhe kriminelëve, por do t’i bjerë gjithnjë mbi të dobëtin, të varfrin dhe të pafuqishmin. Republika e Kosovës nuk ka më nevojë për asnjë provë për të konstatuar se drejtimi i drejtësisë është urgjencë kombëtare”, shtoi ai.
Kryeministri bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë afat deri të enjten, para orës 18:00, për të dorëzuar raporte të detajuara lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.
Sipas tij, raportet duhet të përfshijnë evidencat dhe lëshimet e mundshme në secilën hallkë institucionale që ka pasur përgjegjësi në këtë rast.
“Tash, kur po flasim, kanë mbetur edhe 34 orë për hartimin dhe dorëzimin e atij raporti, të cilin sigurisht se do ta ndaj me publikun. Nesër mbrëma, para orës 18:00, i pres raportet”, tha Kurti.
Ai theksoi se rasti bëhet edhe më shqetësues nëse vërtetohet se institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë kanë pasur informacione paraprake për rrezikun, por nuk kanë reaguar në mënyrë të duhur.
Kurti tha se rëndësia e rastit shtohet kur ekzistojnë dyshime për lëshime të njëpasnjëshme institucionale dhe paralajmërime që nuk kanë marrë përgjigjen e duhur.
“Secila vrasje është vepër e rëndë, por ajo rëndohet edhe më shumë kur qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet, të cilat janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë. Një vrasje me të tilla paralajmërime që nuk merrnin përgjigje, në fakt, nuk kishte sesi të përfundonte ndryshe. Kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”, tha ai.
Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari për vrasjen është kunati i saj, i cili u arrestua më 27 tetor.
Rasti ka nxitur reagime të shumta, pasi është bërë e ditur se më 22 tetor, vetëm tri ditë para vrasjes, Zekaj u ishte drejtuar institucioneve për të paralajmëruar për rrezikun me të cilin po përballej.
Po atë ditë, ajo kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare.