Nga Rajoni
28 October 2026
Organizatorët e protestës për rastin e Arlindës: Politikanët nuk janë të mirëseardhur

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar ultimatum 24-orësh ndaj institucioneve të Kosovës, duke kërkuar nisjen e hetimeve dhe shkarkimin e zyrtarëve që, sipas organizatës, kanë përgjegjësi për dështimet në mbrojtjen e Arlinda Zekajt.

Ultimatumi do të bëhet publik në protestën që do të mbahet sot, nga ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në thirrjen e publikuar, Kolektivi kërkon që siguria dhe jeta e grave të trajtohen si çështje urgjente kombëtare, ndërsa femicidi të marrë vëmendjen dhe reagimin e duhur institucional.

“Të revoltuar/a, ne i japim afat 24 orë institucioneve që të fillojnë me shkarkime e hetime të zyrtarëve që e kanë dërguar me duart e tyre Arlindën drejt vrasjes”, thuhet në thirrje.

Organizata ka bërë të ditur gjithashtu se përfaqësuesit e partive politike parlamentare nuk janë të mirëseardhur në protestë. Sipas Kolektivit, kundërshtimi lidhet me atë që e cilëson si përpjekje të partive për ta shfrytëzuar politikisht vrasjen e grave.

“Revolta është e jona, dhe është e drejtuar kundër krejt juve. Nga ju lypet veprim, jo zaptim i zërit tonë popullor”, thuhet në reagim.

Kolektivi u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës dhe të vazhdojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi nga institucionet për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Protesta do të nisë në orën 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ku organizatorët kanë paralajmëruar mobilizim edhe para institucioneve të vendit.



Të ndryshme
Më shumë
Zanfina tregon trupin "bombë" edhe në përditshmëri15 June 2021
Shqipëria liron veteranin e UÇK-së i cili u ndalua me kërkesë të INTERPOL-it 2 August 2020
Arrestohet prizrenasi në Morinë, tentoi të trafikonte drogë në Shqipëri17 March 2026