Nga Rajoni
28 October 2026
Konjufca: Ish-krerët e UÇK-së do ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit në betejën e apelit

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se ka kryesuar mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Përmes një deklarate, Konjufca tha se mbledhja u mbajt në vijim të deklaratës së Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit dhe vendimit të Qeverisë të 14 tetorit, të cilat, sipas tij, shprehin vullnetin për kundërshtimin e aktgjykimit ndaj krerëve të UÇK-së dhe mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare.

Ai bëri të ditur se gjatë mbledhjes u diskutuan drejtimet kryesore të strategjisë, u caktuan grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe u përcaktua plani i përgjithshëm i punës.

“Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, ka deklaruar Konjufca.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës do të angazhohen edhe në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e asaj që e cilësoi si të vërtetën e luftës çlirimtare, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e saj.

Konjufca theksoi se UÇK-ja qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit të Kosovës, duke vlerësuar se në këtë proces institucionet dhe forcat politike kanë përgjegjësi të qëndrojnë të bashkuara, përtej dallimeve politike.



Të ndryshme
Më shumë
Njihuni me këtë bukuroshe, mbesën e Motrave Mustafa 17 August 2021
Lirohen çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni26 July 2021
Tentim për të prerë gypin kryesor të oksigjenit në Spitalin e Tetovës, Kush dëshiroi t’i mbys 120 pacient?23 August 2021