ShowBiz
31 October 2026
Nëse Arbenita do t'i kërkonte një mundësi të dytë, Fero: Me kënaqësi do t'ia jepja, por nuk mendoj se jam i duhuri për të

 

Reperi Fero ka folur së fundmi për marrëdhënien me ish-bashkëshorten e tij, modelen Arbenita Ismajli, duke zbuluar se si qëndrojnë raportet mes tyre pas ndarjes dhe gjithë tensioneve që kanë shoqëruar historinë e tyre.

I ftuar në emisionin “Live me Luizin” në Top Channel, Fero është pyetur për komunikimin që ka sot me Arbenitën, me ç'rast ka treguar se tashmë kanë arritur të krijojnë një raport të mirë, veçanërisht për hir të vajzës së tyre, Ninës.

“Unë sot gëzoj një raport shumë të mirë me ish-bashkëshorten time, nënën e vajzës sime. Gëzojmë një raport shumë të mirë, kemi një komunikim shumë të mirë për vajzën. Si unë, ashtu edhe ajo, kemi mendimin që – momentalisht, sepse kur je i ri, gabon ajo, gaboj unë; kush i ka gabimet dhe fajet, i di më mirë vetë çifti – por sot gëzojmë një raport të mirë dhe duam që ta ruajmë këtë raport për hir të vajzës, sepse vajza është duke u rritur”, u shpreh reperi.

Gjatë bisedës, moderatori Luiz Ejlli e pyeti gjithashtu se çfarë do të bënte ndryshe nëse do ta niste nga fillimi historinë e dashurisë me Arbenitën.

Fero pranoi se me kalimin e kohës njeriu arrin t'i kuptojë më mirë gabimet e veta, por sipas tij, disa përvoja duhet të kalohen për të kuptuar se ku ke gabuar.

“Tani mund të them se nuk do ta bëja këtë, nuk do ta bëja atë, por ndonjëherë, për ta kuptuar që je gabim, duhet ta kalosh gabimin. Ka shumë gjëra që do të kisha dëshirë të kishin ndodhur ndryshe, por janë pjesë e jetës. Ne jemi njerëz dhe gabojmë. Nuk besoj se ka njeri që nuk gabon”, deklaroi ai.

Historia e Feros dhe Arbenita Ismajlit ka qenë ndër më të komentuarat në showbizin shqiptar, veçanërisht pas ndarjes së tyre, kur marrëdhënia u shoqërua me akuza të ndërsjella dhe mosmarrëveshje.

Arbenita kishte bërë publike pretendime për dhunë fizike dhe psikologjike, tradhti dhe probleme të tjera gjatë marrëdhënies, të cilat Fero i kishte kundërshtuar. Përplasjet mes tyre kishin vazhduar edhe në rrjetet sociale dhe në rrugë ligjore, ndërsa një nga çështjet e ndjeshme kishte qenë edhe kujdesi dhe takimet me vajzën e tyre.

Megjithatë, nga deklarata e fundit, reperi lë të kuptohet se aktualisht komunikimi mes tyre është përmirësuar dhe se të dy synojnë ta ruajnë këtë raport për të mirën e vajzës. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Kurti takon ambasadorin zviceran, synohet thellimi i bashkëpunimit dhe mbështetjes financiare23 March 2026
Moti sot me vranësira dhe reshje shiu19 July 2021
Kështu dukej Ana Kauri kur ishte bionde dhe pa ndërhyrje21 September 2021