Nga Rajoni
4 November 2026
Kos: Shqipëria mund t’i mbyllë negociatat me BE-në deri në fund të 2027

Shqipëria mund të përmbushë objektivin për mbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027, por për këtë duhet të ruajë ritmin e reformave, veçanërisht në fushat që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Kështu deklaroi komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit 2026 në një mbledhje të jashtëzakonshme të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.

“Ritmi me të cilin Shqipëria po realizon reformat e BE-së është një tregues i angazhimit të saj për anëtarësim”, deklaroi Kos.

Ajo vlerësoi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e reformave kyçe, duke veçuar arritjen e objektivave të ndërmjetëm në grupkapitullin e Themeloreve dhe mbylljen e përkohshme të katër kapitujve negociues.

Megjithatë, komisionerja theksoi se përparimi i mëtejshëm mbetet vendimtar për realizimin e afatit të vendosur nga Tirana.

“Do të duhet të shohim fokus dhe përparim të vazhdueshëm në fushat kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh ajo.

Kos nënvizoi se sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore duhet të mbeten në qendër të procesit të reformave. Ajo kërkoi gjithashtu përparim në çështjet mjedisore dhe përfshirje kuptimplotë të shoqërisë në procesin legjislativ.

Brukseli prezanton udhërrëfyesit e rinj të zgjerimit

Komisioni Evropian ka paraqitur udhërrëfyes orientues për katër vendet që kanë shënuar përparimin më të madh drejt anëtarësimit gjatë vitit të fundit: Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.

Kos sqaroi se dokumentet mbështeten në parimin e meritës individuale dhe nuk paracaktojnë rezultatin e negociatave apo zëvendësojnë përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

Mali i Zi mbetet vendi më i avancuar në proces. Sipas komisioneres, Podgorica ka mbyllur 21 kapituj dhe mund të përfundojë 14 të mbeturit deri në fund të vitit, duke synuar anëtarësimin në BE në vitin 2028.

Një tjetër risi e paketës është modeli i integrimit gradual, që synon t’u ofrojë vendeve kandidate më shumë përfitime nga politikat dhe strukturat evropiane përpara anëtarësimit formal.

Komisioni planifikon të nisë dialogë të posaçëm për këtë proces gjatë tremujorit të parë të vitit 2027.

Kos e lidhi zgjerimin edhe me sigurinë evropiane, duke paralajmëruar se dezinformimi, sulmet kibernetike dhe krimi i organizuar përbëjnë sfida të përbashkëta për vendet anëtare dhe ato kandidate.

“Raporti i sotëm tregon se jemi në rrugën drejt zgjerimit të ardhshëm”, deklaroi komisionerja.



Të ndryshme
Më shumë
Chelsea merr gjobën më të madhe nga UEFA-s, 31 milionë euro për shkelje financiare 4 July 2025
Investime në shëndetësi, drejt përfundimit 10 salla moderne operacioni dhe projekte të reja në horizont 6 April 2026
Maqedoni:Viti shkollor do të fillojë më një tetor27 August 2020