Nga Rajoni
5 November 2026
Çitaku: Gjashtë vjet nga shkuarja në Hagë e ish-krerëve të UÇK-së, aktgjykimi me 81 vjet burgim i papranueshëm

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar me rastin e gjashtëvjetorit të shkuarjes në Hagë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se gjashtë vjet nga largimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga familjet dhe vendi, aktgjykimi i shkallës së parë, me gjithsej 81 vjet burgim, është i padrejtë dhe i papranueshëm.

“Sot bëhen gjashtë vjet nga shkuarja në Hagë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Gjashtë vjet larg familjeve, lirisë dhe vendit për të cilin dhanë gjithçka. Aktgjykimi i shkallës së parë, me gjithsej 81 vjet burgim, është për ta thellësisht i padrejtë, ndërsa për ne krejtësisht i papranueshëm. E kundërshtojmë fuqishëm, sepse bie ndesh me provat, me standardet e një gjykimi të drejtë dhe me të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Çitaku.

Tutje ajo tha se në këtë proces nuk janë vënë në pikëpyetje vetëm katër çlirimtarë, por vetë historia e UÇK-së dhe rruga e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë.

“Por historia jonë nuk fillon në sallat e gjyqit në Hagë. Dhe nuk mund të rishkruhet nga një aktgjykim! Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i sakrificës së një populli të tërë, i luftës së shenjtë të UÇK-së dhe i mbështetjes vendimtare të aleatëve tanë, SHBA-së, vendeve evropiane dhe NATO-s. Sot është koha që Republika e Kosovës t'i dalë zot historisë së vet dhe çlirimtarëve të saj”, u shpreh ajo.

Çitaku tha se janë duke punuar për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të krijuar një mbështetje më të plotë dhe më të qëndrueshme juridike për çlirimtarët tanë.

“Angazhimi i përbashkët shtetëror, përtej dallimeve partiake, për hartimin e Strategjisë Shtetërore për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, sigurimin e mbështetjes së nevojshme financiare dhe intensifikimin e angazhimit diplomatik, është në funksion të kësaj mbrojtjeje. Paralelisht, po punojmë për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të krijuar një mbështetje më të plotë dhe më të qëndrueshme juridike për çlirimtarët tanë. Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi! Dhe nuk do të lejojmë që një aktgjykim ta shtrembërojë historinë e një populli që luftoi për liri”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Maqedonia pritet të strehojë rreth 400 afganë17 August 2021
Rama: “Shqipëria 2030” do udhëhiqet nga inovacioni, “Diella” do të sjellë transparencë30 September 2025
Babai i tre fëmijëve, 44-vjeçari kosovar ngacmon seksualisht kolegen 22 vjeçare në Zvicër13 August 2021