Nga Vendi
22 August 2020
Ekskluzive/ Ali Ahmeti Të Hënën Do Të Shkojë Si Dëshmitar Në Hagë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ditën e hënë pritet të udhëtoj për në Gjykatën Speciale në Hagë, bën të ditur INA.

Burime diplomatike thanë për INA se, Ahmeti ditën e hënë pritet të niset drejt Hagës në cilësinë e dëshmitarit lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Kreu i BDI-së konfirmoi se ka pranuar “pa asnjë hezitim” kërkesën e prokurorëve që po hetojnë krimet e kohës së luftës dhe pasluftës nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

“Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, kishte shkruar Ahmeti në Facebook.

Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka pranuar të japë informacione se përse Ahmeti është thirrur në Hagë.

Ftesa për Ahmetin ka pasuar një javë pasi prokurorët e Hagës përfunduan marrjen në pyetje katër-ditore të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi më 24 qershor se ka një aktakuzë të pakonfirmuar që akuzon Thaçin, si dhe politikanin e lartë të Kosovës Kadri Veseli dhe ish-luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku do të gjykohen të dyshuarit, janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por janë të vendosura në Holandë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar.

Ato u ngritën nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë i Kosovës nuk ishte aq i fortë sa të gjykonte raste kaq të ndjeshme.

E ashtuquajtura “gjykatë speciale” është kundërshtuar gjerësisht nga shqiptarët e Kosovës që e shohin atë si një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirimin nga sundimi serb. 



Të ndryshme
Më shumë
Bie vlerësimi për presidentin amerikan, Joe Biden19 August 2021
“E kam dashur”, Donaldi flet pa dorashka për marrëdhënien me Bora Zemanin19 October 2021
Boki 13 me vetë-kërkesë do të dëshmoj para Ruskoskës25 June 2020