Nga Bota
8 November 2026
Vrau në gjumë prindërit dhe motrën, kush është 24-vjeçari që tronditi Poloninë

Detaje të reja për sulmin vdekjeprurës që tronditi Krakovën e Polonisë po dalin në dritë. Autor i tij është 24-vjeçari Michal Oksinski, i cili fillimisht vrau prindërit dhe motrën e tij, përpara se të shkonte i armatosur në qendër të qytetit dhe të hapte zjarr ndaj qytetarëve të pavetëdijshëm për rrezikun. Nga sulmet humbën jetën gjithsej nëntë persona, mes tyre edhe tre anëtarët e familjes së tij. 

Tre familjarët u gjetën të vdekur në apartamentin e familjes në qytetin Ostroviec Świętokrzyski, rreth 200 kilometra larg Krakovës. 

Sipas informacioneve të publikuara nga media polake Onet, duke iu referuar burimeve jozyrtare nga hetimi, autori vrau në gjumë babain 53-vjeçar, nënën 52-vjeçare dhe motrën 21-vjeçare. Trupat e tyre u gjetën në shtretërit ku flinin, ndërsa vlerësimet e para të hetuesve tregojnë se ata kishin plagë nga armë zjarri në kokë.

Veçanërisht tragjik është rasti i motrës së tij 21-vjeçare, e cila jetonte dhe studionte në Krakovë, në Akademinë e Arteve të Bukura Jan Matejko. E reja ishte kthyer në shtëpinë e prindërve në Ostroviec për fundjavë, për t’i vizituar ata.

Fqinjët dhe personat që e njihnin familjen e përshkruajnë 21-vjeçaren si një vajzë shumë të talentuar dhe me ndjeshmëri artistike. Ata tregojnë gjithashtu se bëhej fjalë për një familje të qetë, pa konflikte të dukshme apo ngjarje që të kishin shkaktuar shqetësim në lagje.

Kush është 24-vjeçari Michal Oksinski

 Michal Oksinski ishte nga Ostroviec Świętokrzyski dhe, sipas raportimeve të mediave polake, ishte formuar profesionalisht si teknik në fushën e mekanikës.

Dëshmitë e fqinjëve paraqesin një imazh që bie në kontrast me dhunën e veprimeve të tij. Ndërkohë, në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi që pretendohet se paraqesin autorin e sulmit. Megjithatë, deri më tani, autenticiteti i këtyre fotografive nuk është konfirmuar nga mediat polake apo autoritetet.

Banorët e pallatit kanë deklaruar se ai ishte një i ri i qetë, që i përshëndeste fqinjët dhe nuk kishte shkaktuar probleme. Disa prej tyre thanë se nuk kishin vënë re ndonjë sjellje të veçantë që mund t’i bënte të dyshonin se ai ishte i aftë të kryente një sulm të tillë.

Ndërkohë, autoritetet polake po shqyrtojnë sfondin ideologjik të autorit. Ministri i Brendshëm i vendit, Marcin Kierwiński, ka folur për shenja të ndikimit nga ide të ekstremit të djathtë dhe nacionalizmit ekstrem, duke sqaruar se këto të dhëna janë ende nën hetim.

Autoritetet nuk kanë arritur ende në një përfundim përfundimtar lidhur me motivet e Michal Oksinskit. Ato po shqyrtojnë nëse ai ka vepruar i vetëm dhe nëse ka pasur ndonjë lidhje mes vrasjes së familjarëve të tij dhe sulmit në Krakovë.

Nga apartamenti familjar te masakra në Krakovë

Informacionet e deritanishme tregojnë se Michal Oksinski vrau fillimisht tre anëtarët e familjes dhe më pas u largua nga Ostrovieci me një automjet të regjistruar në emër të babait të tij, duke u nisur drejt Krakovës.

Pak pas orës 15:00, të shtunën, më 7 nëntor, ai hyri me automjet në sheshin qendror Rynek Główny, një nga destinacionet turistike më të frekuentuara në Poloni, dhe nisi të qëllonte ndaj kalimtarëve.

Të shtënat shkaktuan panik, ndërsa banorët dhe vizitorët kërkuan strehim në dyqane, restorante dhe ndërtesat përreth. Sipas autoriteteve polake, gjashtë persona humbën jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë u transportuan në spitale. Mes të plagosurve ishin edhe dy efektivë policie.

Ndërhyrja e policisë ishte e menjëhershme. Pasoi një shkëmbim zjarri, gjatë të cilit autori u plagos dhe më pas u arrestua. Sipas raportimeve, operacioni përfundoi brenda rreth tre minutash nga nisja e sulmit.

Çfarë u gjet në banesë dhe armët e përdorura 

Hetimet e autoriteteve në banesën e familjes zbuluan një tjetër element serioz të çështjes. Policia konfirmoi se në apartament u gjetën shtatë armë, ndërsa tre trupat kishin plagë që fillimisht u vlerësuan si të shkaktuara nga armë zjarri.

Gjithashtu, sipas raportimeve të mediave polake, 24-vjeçari kishte leje për mbajtjen e armëve dhe dyshohet se ishte marrë me qitje sportive.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse ai përdori armë që i përkisnin babait të tij, si dhe po verifikojnë origjinën e armëve që kishte me vete në Krakovë.

Fakti që vrasja e familjarëve ndodhi përpara sulmit në qendër të qytetit është tashmë një nga pikat kryesore të hetimit. Autoritetet po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e autorit dhe të zbardhin se çfarë ndodhi brenda apartamentit përpara se ai të largohej. 



Të ndryshme
Më shumë
"Kjo është skandaloze", Rudina kritikoi ashpër Nichin për deklaratën ndaj Anjezës 7 November 2026
Kuvendi do ta vazhdojë seancën e 75-të plenare26 December 2025
Pacolli: Kalova 4 orë me Veselin, Thaçin dhe Selimin, tri shtete kanë dhënë garanci për lirimin me kusht të tyre12 October 2021