Gjermania ka pasur 12 presidentë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe të gjithë kanë qenë burra. Por tani, për herë të parë, Republika Federale e Gjermanisë është pranë zgjedhjes së një gruaje në krye të shtetit. Kandidatja kryesore për këtë post, Ilse Aigner, është një figurë e veçantë në shumë aspekte.
“Pa diplomë juridike. Pa martesë. Pa penis”. Kështu e përshkroi këtë javë gazeta e majtë gjermane Taz, në një vlerësim ironik, por domethënës të ndryshimit historik që përfaqëson 61-vjeçarja nga Bavaria.
Kancelari kristiandemokrat Friedrich Merz e propozoi Aigner këtë javë si kandidaten e tij për presidente, pas muajsh spekulimesh, duke deklaruar se “kishte ardhur koha” që një grua të merrte këtë detyrë.
Nëse zgjidhet në janar, Aigner do të pasojë Frank-Walter Steinmeier në një post kryesisht ceremonial, por që përfaqëson funksionin më të lartë shtetëror në Gjermani. Përveç mbështetjes së CDU-së së Merz, ajo ka marrë edhe atë të partnerëve të tij në qeveri, socialdemokratëve, si dhe të opozitës së të Gjelbërve. Kjo e bën zgjedhjen e saj shumë të mundshme.
Entuziazmi për kandidaturën e saj është shfaqur edhe në mënyra të pazakonta. Jörg Thadeusz, një shkrimtar liberal dhe moderator i njohur televiziv, i pasionuar pas satirës, ka shkuar aq larg sa të bëjë tatuazh emrin Ilse në krahun e majtë.
Fotot e tij duke treguar tatuazhin në televizion këtë javë u kthyen në lajm, ndërsa mediat nisën të flasin për “valën Aigner”, duke iu referuar entuziazmit të papritur që ka ngjallur kandidatja bavareze, të paktën në radhët e elitës politike.